Greqi, 9 milionë grekë në votime/Cipras: Ditë historike. Samaras: T’i japim fund aventurave
Rreth 9 808 760 persona janë thirrur për të votuar në 19 449 qendra votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që kanë nisur në orën 07:00 në Greqi.
Procesi zgjedhor do të mbyllet në orën lokale 19:00.
Identifikimi i votuesve do të bëhet nëpërmjet leterënjoftimit, lejes së drejtimit të mjetit apo librezës shëndetësore.
Partitë kryesore që pretendojnë të futen në parlamentin e ri janë ”Demokracia e re”, SYRIZA, ”Lumi”, PASOK, ”Agimi i artë” dhe Lëvizja e Socialistëve Demokratë.
Lideri i SYRIZA Aleksis Cipras e konsideroi si një ditë historike të sotmen, ndërsa votoi në lagjen Kipseli, ku ai edhe banon.
“Sot grekët duhet të vendosin nëse nesër trojka duhet të kthehet në Greqi për të vazhduar atë që ka bërë me qeverinë e Samarasit apo jo, thënë ndryshe të shkurtojë akoma pagat dhe pensionet”, deklaroi Cipras.
“Populli duhet të votojë për të mbrojtur dinjitetin e tij dhe për një qeveri që do të vazhdojë tratativat e vështira me kreditorët ndërkombëtarë”, përfundoi Cipras, i cili nga sondazhet rezulton si fitues i këtyre zgjedhjeve.
Kryeministri në detyrë i Greqisë, Antonis Samaras, pas procesit të votimit tha se këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
“Sot ne vendosim nëse do të ecim të fortë përpara, me siguri dhe vetëbesim, apo do t’I futemi aventurave. Në këto zgjedhje një numër i paprecedent votuesish janë ende të pavendosur.
Ata do ta thonë fjalën e fundit. Jam optimist sepse besoj fort që askush nuk dëshiron të rrezikojë kursin europian të vendit. Ne do të fitojmë!”, u tha Samaras pasi votoi në qytetin e lindjes, Pilos, në Peloponez.
KOHA JONË SONDAZH

