Greva e naftëtarëve, ish-deputetja e PD thirrje Ramës: Gratë nuk lihen pa bukën e fëmijëve, jepu atë që i takon
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi i është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama sa i takon grevës së urisë së naftëtarëve të Ballshit.
Përmes një reagimi në ‘Facebook’, Çupi tha se në një familje të vërtetë, gratë nuk lihen pa bukën e fëmijëve. Mes të tjerash, demokratja i bën thirrje Ramës që t’u japë këtyre punonjësve atë çka iu takon.
REAGIMI I ÇUPIT
Zoti kryeministër në ikje, në një familje të vërtetë, gratë nuk lihen pa bukën e fëmijëve. Zonjat e nderuara, nga të cilat ti kërkon që të dalin nga greva, ishin në Tiranë, por nuk denjove as t’i presësh, as t’i dëgjosh. Këto gra gjithë halle erdhën për dialog nga Ballshi në Tiranë dhe ti u përplase derën në fytyrë! Të paktën, bëhu një here njerëzor dhe jepu atë që u takon! Është cinike, e pashpirt, barbare sfida që ti zoti kryeministër u bën atyre grave të mbytura në halle nga parajsa e luksit ku jeton. Shko tek ato gra, kërkoju ndjesë, paguaji dhe pastaj ik!