Grida Duma zbulon detaje të reja nga plagosja në Kavajë: Policët u munduan ta fshihnin krimin

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Grida Duma, ka zbuluar detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në Kavajë, ku mbeti i plagosur i riu Bledar Okshtuni.

Duma u shpreh në ‘Ilva Now’, se policët u munduan të fshihnin ngjarjen duke hequr dhe kordonin e policisë, në mënyrë që të mos dukej si një skenë krimi.

Gjithashtu Duma shton se në momentin që shkoi atje, policët ishin të shtangur dhe nuk dinin si të vepronin për shkak të përfshirjes së dy policëve të Bashkisë dhe të një biznesmeni që qëndronte afër kryetarit të Bashkisë.

“Po ta them me shumë sinqeritet, nëse Bledit (të plagosurit) do t’i kishte ndodhur gjë me jetën, unë nuk e di se si mund të vazhdoheshin zgjedhjet. Është e vështirë shumë të humbësh një anëtar të partisë, sekretar apo një djalë të mirë.

Kjo është një ngjarje shumë e keqe. Kam shumë për të thënë për forcat e policisë. Unë isha aty në rastin e plagosjes. Sa më thanë nuk e besova dhe thashë mos po e ekzagjerojnë. Shkova direkt, as 6 minuta nuk jam vonuar dhe shikoj policinë që po e rrethonte.

E gjithë policia ishte e ngrirë pasi në ngjarje kishin marrë pjesë Drejtori i Policisë Bashkiake me një polic tjerë bashkë me një biznesmen që rrinte me kryetarin e bashkisë. Ata nuk dinin si të vepronin, ishin të pavendosur dhe të paqartë. Dy policët janë me arrest shtëpie. Pas një ore që unë vazhdoja të qëndroja aty, në moment të fundit deshën të hiqnin edhe kordonin e policisë për të mos e quajtur skenë krimi.

E di ti që ai djali që plagosi është dënuar për armëmbajtje pa leje. Më thuaj çfarë të themi. Ai ka plagosur një njëri edhe ai është kapur për armëmbajtje pa leje. Nëse policia është në këtë gjendje dhe organet e drejtësisë janë në këtë gjendje ne duhet të vëmë alarmin”, deklaroi Duma.

SHKARKO APP