Kryeministri Edi Rama ka reaguar për paketën fiskale 2027, duke iu përgjigjur kritikave për politikat ekonomike të qeverisë. Rama ironizon qëndrimin e opozitës, duke e cilësuar atë të bazuar në urrejtje dhe injorancë.
Në reagimin e tij në X, Rama thekson se nesër qeveria do të shprehet përmes miratimit të buxhetit të ri, i cili kalon për herë të parë në histori pragun e 10 miliardë eurove. Kreu i qeverisë e cilëson buxhetin si një hap të rëndësishëm ekonomik dhe e përshkruan paketën shoqëruese si më ambiciozen për rishpërndarjen e rritjes ekonomike.
”Flisni flisni për masat e reja fiskale, grijeni sallatën tuaj të urrejtjes dhe padijes me dokumenta pune të dalë gjysma-gjysma, se nesër e ka radhën qeveria të thotë fjalën e saj me miratimin e buxhetit të parë në histori që kalon pragun e 10 miliardë eurove dhe paketës më ambicioze të rishpërndarjes së rritjes ekonomike”,-shkruan Rama.
Më herët Sali Berisha akuzoi qeverinë, duke thënë se po rrit barrën fiskale për bizneset shqiptare, duke paralajmëruar falimentime dhe humbje të vendeve të punës. Në një videomesazh nga selia e PD-së, Berisha deklaroi se paketa e paralajmëruar parashikon rritjen e taksës mbi dividentin nga 8% në 15%, tatimfitimit nga 15% në 17% dhe uljen e pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë.
Flisni flisni për masat e reja fiskale, grijeni sallatën tuaj të urrejtjes dhe padijes me dokumenta pune të dalë gjysma-gjysma, se nesër e ka radhën qeveria të thotë fjalën e saj me miratimin e buxhetit të parë në histori që kalon pragun e 10 miliardë Eurove dhe paketës më ambicioze të rishpërndarjes së rritjes ekonomike🇦🇱👊🦅🇪🇺
— Edi Rama (@ediramaal) October 27, 2026
