Gruaja bashkë me tre fëmijët u hodhën në lum, Prokuroria jep akuzën zyrtare për Erdgys Arrazin
Prokuroria e Shkodrës ka reaguar këtë të hënë në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar një ditë më parë në këtë qytet, ku dyshohet se 39-vjeçarja Alma Arrazi së bashku me tre fëmijët e saj të mitur, është vetëhedhur nga ura e Bunës, ndërsa deri më tani janë gjetur trupat e dy prej fëmijëve.
Në njoftimin për mediat, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka bërë një përmbledhje të të gjithë ngjarjes, duke nisur nga kallëzimi në polici i Erdgys Arrazit se kishte humbur kontaktet me bashkëshorten dhe tre fëmijët e mitur.
Sipas Prokurorisë, pas kryerjes së hetimeve përkatëse të deritanishme, njofton se ka regjistruar procedimin penal nr. 511/2024, mbi bazën e materialeve procedurale të përcjella nga Komisariati i Policisë Shkodër, referuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Erdgys Arrazi.