Grupi i deputetëve italianë në Shqipëri: Me ju drejt BE-së! Përfshihuni në debatet brenda unionit
Italia mbështet Shqipërinë në rrugën drejt BE-së, dhe shpreson që kjo të ndodhë brenda vitit 2023. Një grup deputetësh italianë të forcave të ndryshmë politike, zhvilluan gjatë dy ditëve takime me zyrtarë të lartë të vendit tonë, ku shprehën mbështetjen e vazhdueshme të Italisë.
Së pari sipas grupit të deputetëve nga Komisioni për Politikat e Bashkimit Evropian të Dhomës së Deputetëve në Itali, Shqipëria duhet dalëngaldalë të angazhohet me debatet e brendshme europiane që po zhvillohen aktualisht.
“Ne mendojmë se është e rëndësishme që institucionet shqiptare dhe Shqipëria të fillojnë të futen në debatet e sotme që zhvillohen brenda Bashkimit Europian. Ne e konsiderojmë të rëndësishëm këtë hap sepse jemi të sigurtë që duke nisur të dëgjojmë mendimin tuaj në lidhje me debatet në BE, do të kuptojmë ndjeshmërinë tuaj rreth temave”,- tha Giglio Vigna, kryetar i misionit.
Sa i takon afateve të vendosura nga vetë Shqipëria në lidhje me një anëtarësim të mundshëm të saj në BE në 2027 apo 2030, kreu i misionit me grupin e deputetëve italianë thotë se cilado të jetë data e shënjestruar, Italia do jetë krah vendit tonë.