Gushti i aksidenteve! Mënyrat për të shmangur përplasjet fatale

Në 10 ditët e para të këtij muaji janë regjistruar 62 aksidente, ku për pasojë kanë mbetur të vdekur 12 persona, 3 të plagosur rëndë dhe 60 të plagosur lehtë. Cilat janë shkaqet e këtyre aksidenteve? Sipas ekspertit të sigurisë rrugore Gëzim Hoxha, janë një sërë faktorësh që ndikojnë në këtë periudhë të vitit.
”Shtohet lëvizja e mjeteve, hyjnë mjete nga jashtë, por edhe mjetet që janë brenda lëvizin më shumë për shkak se njerëzit shkojnë me pushime, duan të lëvizin. Qëndrojnë deri natën vonë, rrinë nëpër pube, janë pa gjumë, janë të lodhur dhe të gjitha këto janë faktorë që ndikojnë në aksidentet rrugore”.
Aksidentet në këtë 10 ditësh të parët të gushtit, sipas policisë rrugore, kryesisht janë shkaktuar, nga shpejtësia, parakalimet e gabuara dhe sidomos përdorimi i celularit. Eksperti e sheh me rrezik përdorimin e tij në timon.
”Celulari është një mjet mjaft i rrezikshëm që nuk duhet të përdoret gjatë drejtimit të mjetit dhe për këtë unë jam për shtrëngimin e kësaj mase. Duhet parë por jo masa drastike. Duhet parë siç e kanë vendet e tjera në raport me pagën. Së dyti duhet parë, të vendosen gjoba të lëvizshme fillimisht dhe pastaj në mënyrë graduale duke u rritur. Nëse njerëzit, nuk zënë mend me 50 mijë lek, të bëhet 100 pastaj 200, 300 e kështu me radhë, pra të shtrëngohet vidë pas vide, dhe jo direkt me 200 mijë lek se kjo i hap rrugë abuzimit”.
Eksperti rrugor Hoxha thotë se parakalimet e gabuara në vendin tonë lidhen me dy faktorë. ”Parakalime të gabuara ka. Kjo lidhet edhe me sinjalistikën rrugor që kemi ne. Lidhet me temperamentin tonë ballkanas, jemi të nxehtë dhe ekspresivë, që s’mund të durojmë në rresht njëri pas tjetri dhe futemi në parakalime të gabuara.Kjo kërkon që të shtohen masat, me qëllim që ky fenomen të mos ndodhi”.
KOHA JONË SONDAZH

