Guvernatori Sejko: Kriza e çmimeve do të shoqërohet me inflacion të lartë dhe ngadalësim të rritjes ekonomike

“Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet e mëparshme”, theksoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i cili mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington.

Gjatë takimeve, Guvernatori fillimisht u shpreh se dy vitet e fundit kanë qenë të paprecedenta dhe sfiduese për ekonominë shqiptare, duke u përballur me tërmetin e vitit 2019, pandeminë e cila filloi në vitin 2020 me pasojat e së cilës ende po përballemi dhe viti 2022 i cili përkon me nisjen e sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe krizën ndërkombëtare të çmimeve.

Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori u shpreh se ai shfaqet i qëndrueshëm ndaj goditjeve dhe efekteve prej dy vitesh të pandemisë dhe se veprimtaria e tij vijon të zgjerohet mbështetur kryesisht nga depozitat, fitimi i tij është përmirësuar ndërsa likuiditeti mbetet i lartë. Falë planit të masave për reduktimin e kredive me probleme dhe angazhimit të Bankës së Shqipërisë tashmë raporti i kredive me probleme ka shënuar vlerën më të ulët në 15 vitet e fundit, 5%.

Në vijim, Guvernatori theksoi se përballë rritjes së çmimeve të ushqimeve, të lëndëve të para dhe të produkteve bazë, politika monetare u përshtat duke synuar krijimin e kushteve të nevojshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit të Bankës së Shqipërisë me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar dhe rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të ekonomisë.

Ai shtoi se inflacioni në Shqipëri pritet të qëndrojë mbi objektivin e Bankës gjatë vitit 2022, në pasqyrim të goditjeve që vijnë nga çmimet e rritura në tregjet ndërkombëtare, megjithatë, kjo goditje do të ketë efekte të përkohshme. Në këtë kontekst, Guvernatori theksoi se rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet e mëparshme të Bankës. Monitor

SHKARKO APP