“Habere” të reja nga Parlamenti

 

FEJTON ga Hyskë Borobojka

Sa herë qytetarët e thjeshtë zënë vend përpara ekranit të televizorit, ku jepen “’habere” të mira (siç thotë miku im, Mitro Çela), pasi vendi është bërë si një shtëpi e mbuluar me plloça, ku mbuluar, ku zbuluar, aq sa ç’bie shi e vrotomet nga jashtë hyn brenda. Qytetarët e gjorë, që s’dinë si t’ua bëjnë pikave që rrjedhin nga çatia, sytë, veshët dhe mentë i mbajnë përpara ekranit të televizorit, ku zhvillohen seancat plenare në Parlament, ndërmjet “Baballarëve të Kombit” apo te tavolina rrumbullake e qeverisë, duke pritur prej tyre, si zogjtë e vegjël më çerdhe, “habere” të mbara. Do të rriten pagat e ulëta dhe pensionet. Do të largohen nga vendi tre K-të” (krim, korrupsin, klientelizëm), që mbrohen nga pushteti i korruptuar gjyqësor. Por mbeten të pataksur, me gojë hapur, kur mësojnë se miqtë e ministrave, zyrtarë marrin rroga të majme, madje më të larta se të Presidentit të Republikës e të Kryeministrit. Fluturojnë nga gëzimi, kur marrin “haberin” se më në fund kemi një Kombëtare futbolli, që na dërgon në Francë, por presën të dëgjojnë, kur do të kemi një sistem shoqëror e funksional, që t’i bashkohet familjes politike evropiane. Fermerët e Vlorës i mbajnë veshët pipëz të dëgjojnë erdhi apo jo energjia elektrike për të vënë në punë hidrovoret apo do vazhdojë të përmbytja e tokës. Zona të tjera të vendit, që po përleshen me reshjet e dendura të shiut, marrin “haberin” e hidhur se qeveritarët dhe ministrat e babëzitur grabitin fondet për veprat publike. Mësojnë me keqardhje se reshjet në Lezhë vazhdojnë t’i kthejnë rrugët e qytetit në gjole e pishina. Ndërsa një superdeputet i ka vendosur varkat në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Një miku im nga Skrapari pret të dëgjojë “haberin” gëzimplotë, erdhën dritat elektrike në Çorovodë apo do të vazhdojnë akoma terri?! Nuk janë të paktë qytetarët që presin të dëgjojnë “haberin’ gazmor, që Parlamenti t’ua heqë pushtetin të fortëve e t’ia japë ligjit.

Por në vend të tyre, dëgjojnë qyfyre dhe estradë, ndërmjet pozitës dhe opozitës. Deputetët e majtë nga njëra anë dhe të djathtët nga ana tjetër, si dhe anëtarët e qeverisë, që kanë pushtuar rreshtin e dytë përpara kolltukut të “babait” të Parlamentit, sapo ky i fundit bën njoftimin se “fjalën e ka filani, të përgatitet “fisteku”. Llafi i parë i atij që ka zënë foltoren është: “Populli duhet ta dijë se këta zotërinj kriminelë e mashtrues e shkatërruan vendin. Ndërsa kundërshtari i tij kërkon me këmbëngulje “replikë”, duke bërtitur: “Populli duhet ta dijë se kjo pozitë qeveritare po e çon vendin në katastrofë!”

Në këtë pikë duhet të bëhet një korrigjim i “vogël” Jo populli duhet ta dijë, por e di. më mirë se “Baballarët e Kombit” dhe qeveritarët e vendit se ku u pikon çatia. Por ne vend të marrë përgjigjen për të gjetur rrugën e drejtë, që pikët të mos rrjedhin pa pushim, se do rrezikojnë e shembin shtëpisë, fillojnë fjalët e tharta, hidh e prit, për të sharë e ofenduar njëri-tjetrin.

-Zoti ministër! Keni zënë foltoren e Kuvendit dhe flisni si një “onxho-bonxho”, si Haxhi Qamili, që në zemër kishte “Babën”, “Sulltanin” dhe “Turqinë!?- njëri.

-Më duket se na i futi! – përgjigjet një ministër tjetër pa lëvizur nga vendi i tij.

-Këtë ua ka thënë kryeministri juaj, që keni turkun në shpirt!- vazhdon tjetri.

-Po të bëhet lista e haxhiqamilistave, ju jeni më i thekuri për të përfaqësuar këtë personazh! – “sqaron” njëri nga kabineti i qeverisë.

Salla e seancave parlamentare merr zjarr, si dëllinja e thatë në verë. Njëri bërtet e shan se opozitarët janë pafytyrë. Tjetri lakon emrin “kopac” e shpjegon se “kopac” quheshin kopsat e palltove ushtarake, që luanin kalamajtë. I treti akuzon se brenda Parlamentit ka shumë “kopaçe”, që u rrukullisën si tenxherja për të gjetur kapakun.

Si mbaroi lakimi i emrave “kopac” dhe “kopaçe”, në të gjitha rasat e gjinitë si dhe zgjedhimi i veprimeve të tyrë në të gjithaq mënyrat, kohët e vetat, u kërkua, që secili deputet e qeveritar duhet të mbajë fytyrën që ka. Për këtë kërkesë tjetri e kishte në majë të gjuhës përgjigjen:

-Ku ke fytyrë ti , o i pafytyrë?!

-Kur të thashë se je i “pafytyrë”, ky është përcaktim dhe jo ofendim!- mundohet ta ëmbëlsojë këtë epitet me sheqer e me mjaltë (grere) tjetri.

Por ç’e do se kjo togfjalësh i ndezi keq gjakrat e deputetëve e të qeveritarëve, aq sa po të mos kishte hyrë në mes efektivi i Gardës, për t’i ndarë grindavecët, do kërciste grushti e do loste shkelmi. Ky sherr e detyroi kryetarin e Parlamentit të kërkon një pushim të shkurtër, sa të qetësoheshin gjakrat.

Edhe pas këtij pushimi, vazhduan me sukses sharjet e grindjet, papushim, hidh e prit. Njëra palë akuzon palën tjetër: “ju jeni si ato vajzat e kudogjendshme!” Tjetri lëshon ultimatumin: “Dil jashtë, o palaço!?” Sikur të mos mjaftonin vetëm sharjet e ofezat pa kandar për njëri-tjetrin, ndodhi dhe një aksident i vogël. Njëri nga ministrat pengohet e rrëzohet të shkallët. U lëndua apo jo, i gjori ministër, viktimë e shkallëve, nuk ia vunë veshin, pasi nuk mund t’i linin në mes apo t’i ndalnin dot sharjet e replikat ndërmjet dy krahëve të poitikës.

-Ti gënjen! Këtë marifet ta ka mësuar gjyshja!- fillon garën e sharjeve njëri.

-Ç’pate me gjyshen time, o njeri pa gjyshe? Po të kishe patur gjyshe do të ishe njeri normal. S’ke patur gjyshe për vete dhe merresh me gjyshen time! – i përgjigjet tjetri

Lakimi i emrit “gjyshe” vazhdon gati një seancë, se gjyshja e njërit kishte qenë në pallatin mbretëror, ndërsa gjyshja e tjetrit me patllake në brez, Njëri e porosit të mos e trazojë gjyshen e tij, pasi ja ku e ka deputeten e partisë së tij, të nisur e të stolisur.

-S’ka fare ashtu…. – ndërhyn njëri nga deputetët e pozitës

-Ti je mashtrues ordiner! – bërtiti tjetri me sa fuqi që kishte dhe u largua bashkë me deputeten. Ndërsa tjetri e porosit këtë të fundit t’i japë “akses” ish-kryetarit të saj, që të mos ia trazojë gjyshen.

Sikur ata të dy të mos ishin larguar, kushedi sa do të kishin vazhduar seanca plenare e fjalëve të lëshuara havadan, që kishin filluar me diell e do të mbaronin me hënë. Në një seancë tjetër sytë dhe mentë e deputetëve në sallë ishin drejtuar te dera e Kuvendit, duke pritur të vinte kryetari i qeverisë. Pas një pritjeje të gjatë, që vazhdoi tetë orë, u duku kryeministri i gjate, aq sa koka e tij mund të prekte tavanin.

-Kemi tetë orë që po të presimi, zoti kryeministër!- iu drejtua ish-kryetarja e Parlamentit.

-S’ka nevojë të më presësh tetë orë. Të kam thënë 100 herë, mjafton të më thoshe eja dhe do të vija me njëherë!-iu përgjigj kryeministri

Dhe e këshilloi të mos rrinte pranë ish-kryetarit të saj duke pritur, se humbiste turuarën, nervozohej dhe fliste kot. Tjetra e inatosur i thotë se nuk e dontë për kurrfarë gjëje, por të tregonte të vërtetën, kishte dhënë dorëheqien deputeti Arben apo jo, pasi në Parlamentin shqiptar ka deputetë të dyshuar për prostitucion të qënjeve njerëzore. Dhënia apo mos dhënia e dorëheqjes të këtij deputeti, bëri që të vazzhdojë debati me tone të larta. Kryeministri ia bën me shënjë ish-keryetaren e Parlamentit të vinte në kafenenë e Parlamentit ta “sqaronte” si duhej. Kjo bëri që të ndërhynte drejtuesi i seancës, një burrë rumbullak e topolak, që e kthen gunën nga të fryjë era, duke i këshilluar të dy palët, se po flasin jashtë rregullores dhe se fjalën e kishte zoti Ahmetaj. Por ky i fundit nuk e ka mësuar akoma alfabetin e gjuhës shqipe, pasi ngatërron germën “j” me “Xh”-në”. Pas tij e merr fjalën një deputet i shkurtër me gjuhë të gjatë, që është aq i zoti e largpamës, jo vetëm të zbulojë të larat e të palarat e vendit, por të “vërtetojë” se kryeministri me ish-kryetaren e Parlamentit, kur qenë të rinj ishin të dashuruar. Ndërsa një deputet tjetër është në merak të madh, do të dijë në se ish-kryetaria ia ka dhënë “ilaçet doktorit”

Qytetari i thjeshtë, që qëndron i ngulitur përpara ekranit të televizionit, kur zhvillon punimet Parlamenti shqiptar, i dhëmbin veshët kur dëgjon nga kryeministri i vendit se njëra nga deputetet qënka peshë e rëndë si “Panela” e tjetra peshë e lehtë. Si duket kryetari i qeverisë harron çfar tha në Nju-Jork, se respekton të drejtat e grave, ndërsa në Parlamentin e Shqipërisë i ve në lojë.

Dëgjuesit presin “habere” të gëzuara për mbarëvajtjen e vendit, por në vend të tyre dëgjon deputetë e qeveritarë, që zihen e grinden si gratë e liga, si të droguar, që lakojnë me gjuhën rrugaçërore emrat “kriminel”, “hale”, “sorrë”, “plehrë”, “kërmë”, “qelbësirë”, “palaço”, “drogaxhi” e plot zhargone të tjera, aq sa ç’u vjen nga poshtë i nxjerrin nga sipër. Prandaj ai s’ka si mos thotë: “Parlamenti ynë, ç’të të qaj më parë,/ Si je katandisur lumi të të marrë!?, e të mos i deklamojë vargjet e Poetit, Ali Asllani, që i shkojnë aq përshtat politikanëve tanë: “Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka./ Të pabrek’ ju gjeti dreka, miljoner ju gjeti darka./ Dallavere nëpër zyra, dallavere në Pazar,/ Dallavere me të huaj, dallavere me shqiptar’/ Vetëm, vetëm dallavere dhe në dëm të këtij vendi,/ Që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!….           

SHKARKO APP