Hahn: Për BE shqetësim siguria dhe trafiku i armëve

Situata aktuale e pasigurisë dhe e trafiqeve në Shqipëri përbën shqetësim në rritje për Bashkimin Europian. Shpërthimet e tritolit në Tiranë kanë tërhequr vëmendjen e ekzekutivit europian dhe institucioneve të tjera europiane.

Nga ana tjetër, shtetet anëtare të Bashkimit Europian sinjalizojnë gjithnjë e më shumë, se Shqipëria nuk është kthyer vetëm në një platformë për tranzitin e drogës, por edhe për prodhimin e saj.

Në kontekstin e luftës kundër terrorrizmit, Shqipëria përveçse një aleate e denjë e kësaj lufte, citohet të jetë gjithashtu sëbashku me Bosnjën një vend tranziti armësh me destinacion Bashkimin Europian.

Komisioneri për fqinjësinë dhe negociatat e zgjerimit, Johannes Hahn nuk e fshesh shqetësimin për situatën e sigurisë dhe trafiqeve në Shqipëri, por preferon të shohë anën pozitive, duke venë në pah përpjekjet që po bëhen nga autoritetet shqiptare për trajtimin e këtyre problemeve.

 Johannes Hahn – Komisioner për Fqinjësinë dhe Negociatat e Anëtarësimit: “Sigurisht që të gjitha këto na shqetësojnë. Por nga ana tjetër, zbulimi i laboratorit të kokainës në Elbasan dhe arrestimet janë një shembull i mirë, që tregojnë që diçka e tillë është e mundur. Shpresoj gjithashtu, që edhe hetimet për shpërthimet me tritol do të përfundojnë me një rezultat pozitiv. Megjithatë, ka shqetësim për sigurinë. Por dua ta shoh gotën gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh. Prandaj, jam më shumë i prirur të shoh, që gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Situata aktuale duket e vështirë, por të dhënat tregojnë, se po merren masa dhe po shënohen rezultate. Por shumë mbetet për të bërë. Sigurisht, informacioni që Shqipëria rezulton si një vendet tranzit për trafikun e armëve duhet të trajtohet me seriozitet”.

Ndërkohë, siguria, lufta ndaj trafiqeve dhe kontrolli i kufinjve janë parametra të rëndësishëm që lidhen fort me proçesin e liberalizimit të vizave afatshkurtra. I pyetur nëse situata aktuale do të ketë impakt në këtë proçes, Komisioneri Hahn bën të kuptohet se aktualisht nuk ka vend për panik, por nuk duhet reshtur puna për  ruajtjen dhe forcimin e standardeve.

 Johannes Hahn – Komisioner për Fqinjësinë dhe Negociatat e Anëtarësimit: “Roma nuk është ndërtuar në një ditë. Është e rëndësishme që të tregohet progres. Ndaj jam duke theksuar konceptin e një proçesi reformash integrimi në Bashkimit Europian. Ky proçes nuk është një vizë e drejtë. Shumë herë ai është me ulje ngritje. Të gjithëve ne na takon që të jemi ambiciozë, kërkues, por nga ana tjetër të tregohemi gjithashtu të durueshëm dhe të përkushtuar. Po të kemi parasysh vizionin tonë dhe vizionin e politikanëve në vend, sigurisht që duhen parë një ose dy rrjedhoja të ngjarjeve, por në tërësi ecuria është pozitive. Dhe nëse ka disa raste të tilla, ku tregohet se merren masa, kjo do të ketë një impakt pozitiv edhe për shtetet anëtare.”

Komisioneri Hahn ka nisur një tur vizitash në Ballkan. Ai viziton së pari në 17 Shkurt Maqedoninë dhe më pas Kosovën. Lidhur me vizitën në Shqipëri, nuk është pëcaktuar ende një datë, por pritet që Komisioneri të marrë pjesë në dialogun e nivelit të lartë që zhvillohet në mesin e Marsit. Ai ka konfirmuar  gjithashtu, se do jetë prezent në stadiumin e Shkodrës për ndeshjen Shqipëri – Serbi.

SHKARKO APP