Hajdutët e kabllove pengojnë punimet në autostradën Tiranë-Durrës

Prej disa muajsh vazhdojnë punimet për rregullimin dhe sistemimin e autostradës Tiranë-Durrës. Fillimisht u nis me sistemimin e pjesëve anësore të rrugës dhe sëfundmi janë vendosur edhe shtyllat e ndriçimit për të mundësuar një rrugëtim sa më të sigurtë natën.

Në përfundim, rruga pritet që të duket natën siç është paraqitur në foton e provës së bërë nga kompania që po zhvillon punimet.

Por, edhe pse jemi në mes të dy zonave më të populluara të Shqipërisë, duket se hajdutët janë në krye të detyrës duke mos u shqetësuar fare. Madje, aktiviteti i lartë i tyre po pengon kompaninë që ka marrë përsipër ndriçimin e rrugës të mos mund t'a dorëzojë atë.

Burime për Albeu.com nga kompania që merret me vendosjen e ndriçimit në pjesën nga Kashari në Tiranë tregojnë se çdo ditë përballen me vjedhje të kabllove që transmetojnë rrymën elektrike duke nxjerrë jashtë pune vazhdimisht pjesë të ndryshme të linjës që furnizojnë me energji shtyllat e ndriçimit.

“Kompania vendos kabllo të rinj dhe ditën e nesërme shikojmë që është vjedhur një segment tjetër”-, bëjnë të ditur burimet për portalin Albeu.

Nga ana tjetër, autoritetet nuk marrin në dorëzim një rrugë e cila nuk konsiderohet totalisht e përfunduar sipas përcaktimeve të bëra në kontratë duke rritur kostot për kompaninë që ka marrë përsipër të realizojë punimet në këtë segment.

SHKARKO APP