Haki Çako: Përmirësim gradual i situatës së përmbytjeve, problematika nga çarja e argjinaturës së Semanit
Situata e krijuar nga përmbytjet në disa zona të vendit po shkon drejt stabilizimit, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile, pushteti vendor dhe institucionet e tjera vijojnë punën në terren për menaxhimin e emergjencës, rehabilitimin dhe evidentimin e dëmeve. Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako bën një pasqyrë të detajuar të situatës më të fundit, masave të marra dhe procesit të vlerësimit e kompensimit të dëmeve.
“Në qarkun Shkodër sipas raportimeve nga strukturat vendore janë rreth 1000 ha tokë bujqësore ende nën ujë, kryesisht të mbjella në grurë. Në qarkun Fier vazhdon të ketë problematika për shkak të çarjes së argjinaturës në lumin Seman. Janë përmbytur toka bujqësore në fshatrat Hasturkas dhe Ndërnënas, njësia administrative Libofshë. Në fshatin Hasturkas ka prezencë të ujit në rreth 20-25 banesa dhe disa stane me bagëti. Në Ndërnënas janë evakuuar 5 familje. Në terren po operojnë 25 trupa të Forcave të Armatosura me 2 mjete me kalueshmëri të lartë dhe 2 motorbarka për evakuim, 10 efektivë të MZSH Fier dhe 25 forca policore”, informoi Çako.
“Në qarkun Korçë, bashkia Maliq, vazhdon puna për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Devoll. Në qarkun Lezhë, po vijon puna për devijimin e shtratit të lumit Fan i Vogël, në lagjen Donaj të fshatit Kodër, Rrëshen, ku është konstatuar gërryerje e tokës. Përpjekjet po përqendrohen në stabilizimin e zonës dhe parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme në infrastrukturë dhe prona bujqësore”, u shpreh Çako për ATSh.
Ai pohoi se çdo kërkesë e ardhur nga pushteti vendor, përmes prefektëve të qarqeve, është plotësuar me mbështetje konkrete, nga strukturat e forcave të armatosura, shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, policisë së shtetit, urgjencës mjekësore dhe vullnetarëve duke përfshirë varka shpëtimi dhe mjete të tjera për evakuim, burime njerëzore dhe trupa operacionale, kamionë me kalueshmëri të lartë, pajisje të rënda si fadroma, pako ushqimore dhe ndihma të tjera emergjente.
Çako informoi se grupet e punës të ngritura nga bashkitë e prekura janë angazhuar në mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave operacionale mbi dëmet në banesa, bujqësi dhe infrastrukturë. ”Me stabilizimin e situatës dhe përfundimin e fazës së menaxhimit të emergjencave, do të kalohet në fazën e rehabilitimit, ku grupet e punës dhe komisionet përkatëse do të vijojnë me vlerësimin e plotë teknik dhe financiar të dëmeve të evidentuara,’‘ u shpreh Çako për ATSh. Pas përfundimit të vlerësimit financiar dhe përgatitjes së listave emërore të përfituesve, kompensimi mbulohet fillimisht nga fondet e bashkisë përkatëse.
Në rastet kur vlera e dëmeve tejkalon mundësitë financiare të njësisë vendore, kërkesa përcillet nëpërmjet Prefektit pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), e cila vlerëson mundësinë e financimit nga fondet për emergjencat civile ose, sipas rastit, përmes një Vendimi të posaçëm të Këshillit të Ministrave. “Ky proces synon garantimin e transparencës, ligjshmërisë dhe trajtimit të barabartë të subjekteve të dëmtuara, duke kontribuar në rimëkëmbjen dhe rikthimin në normalitet pas situatave të emergjencës”, përfundoi drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.
KOHA JONË SONDAZH

