Halim Kosova në Kashar, “Së bashku për një Tiranë Europiane”

Kandidati i djathtë për kreun e Bashkisë së Tiranës, Halim Kosova, u takua sot  me banorë dhe ekspertë të fushës së zhvillimit urban në Kashar. – “Do të isha vërtet shumë i kënaqur që mendimet e qytetarëve të Tiranës, kudo ku ata banojnë, të pasqyrohen në projektet tona sepse në fund të fundit Bashkia punon për qytetarët dhe për gjithë zonat që e rrethojnë Tiranën,” – theksoi ai.

Më tej një banor i the Kosovës se:  -“Në zonën tonë ka një liqen. Ai liqen ka ngelur i vdekur siç ka qenë para 30, 40 vjetësh. Po të vihet dorë atje, me një rrugë rreth e rrotull, ajo bëhet gjë fantastike për të gjithë fshatin”, u shpreh ai duke ngjallur regaimin e kandidatit demokrat.  -“Atë program, ato projekte t’i bëjmë realitet. Dhe unë mendoj që këtu vuan Shqipëria. Nuk vuan për të shkruar letra, për të bërë programe por ato duhen çuar tek qytetari. Tek qytetari çohen duke u bërë realitet. Që çdo njeri duhet ta dijë, aty ku banon, që po fillon ky projekt sot dhe për kaq kohë do të mbarojë”, tha Halim Kosova.

Në Kashar njerëzit janë shprehur të shqetësuar se çfarë do të ndodhë me projektet dhe punët e nisura, tani që komuna do të shkrihet me ndarjen e te territoriale. – “Facilitetet, pikat e kontaktit nuk do të humben. Edhe planet që janë bërë nuk do të humben. E rëndësishme është që ato plane të integrohen në një plan të vetëm dhe nga ana tjetër, ndonjë koment, kritikë, ndonjë sugjerim, ndonjë problem real që ka dalë, të përmirësohet në mënyrë që Plani i Përgjithshëm të lehtësojë punën dhe jo ta mbajë të bllokuar”, u shpreh Besnik Aliaj, nga PD-ja, i pranishëm në takim.

“Ajo që mua, si eksperte ndërtimi, më shqetëson se si do bëhet, ose se si do ishte më e mira për t’u bërë, kombinimi i të dyja planeve ose i shumë planeve studimore që janë zhvilluar si për Tiranën ashtu edhe për komunat që do ti bashkohen Tiranës”, i tha kandidatit Kosova, një inxhiniere ndërtimi.

Përgjigja e tij ishte se : – “Ideja ime është që duke i lënë një lloj autonomie të gjitha qendrave, autonomi por e kontrolluar dhe e kombinuar, do të bëjmë që çdo njeri ose çdo komunë ose çdo individ të ketë mundësi të eci përpara”, deklaroi Halim Kosova.

Por ka pasur reagime edhe të ashpra. “Tapitë falas! S’ka falas. Ja la hajdutëve, burgaxhinjve, maskarenjve ia la Edi Rama”, revoltohet një banor i Kasharit. Halim Kosova tha se “nuk ka shembull më të keq, për çdo qytetar të këtij vendi, që djersa të groposet dhe abuzimi të lulëzojë”. Duke u ndalur tek vizioni i tij për Tiranën, Halim Kosova theksoi se ka hyrë në këtë garë për të shërbyer, për të dhënë, për të bërë më të mirën. “Tirana nuk është e imja. Në qoftë se më thotë njeri që je qytetari i parë i Tiranës, absolutisht nuk e pranoj këtë. Unë jam një njeri që kam pranuar të marr mbi vete përgjegjësi në mënyrë që të bëjmë më të mirën për qytetin tonë. Unë jam i sigurtë se së bashku do të ndërtojmë një Tiranë moderne dhe Europiane”, – u shpreh Kosova.

SHKARKO APP