Halim Kosova uron Erion Veliajn, “shpresoj të mbajë edhe premtimet”

Kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, pas numërimit të votave që pritet të mbyllen zyrtarisht, dhe i japin fitoren e padiskutueshme rivalit të tij, Erion Veliaj, e përgëzoi publikisht këtë të fundit.

Në fjalën e tij, doktor Kosova falënderoi stafin e fushatës për mbështetjen, ndërsa nuk ka ngurruar të urojë kandidatin fitues.

“Falënderoj ata të rinj e të reja që vajtën derë më derë në shtëpitë e qytetarëve. Falënderoj ekipin tim të fushatës që punoi me përkushtim. Uroj Erjon Veliaj për fitoren dhe shpresoj se ai do t'i mbajë premtimet e bëra”, theksoi Kosova.

Kosova në fund ftoi numëruesit e opozitës që të vijojnë punën me përkushtim, pasi procesi i numërimit vazhdon me kandidatët e këshillit bashkiak.

Më tej, zoti Kosova u ka premtuar qytetarëve të Tiranës, se angazhimi i tij në shërbim të interesave të tyre do të vazhdojë.

SHKARKO APP