Hapen kutitë e Himarës, por nuk rinumërohen votat

Edhe pse socialistët e morën Himarën me gati 1500 vota më shumë, demokratët e aleatët e tyre nuk dorëzohen e shpresojnë të gjejnë parregullsi, aq sa të përsëritet votimi.

Demokratët së bashku me Vangjel Dulen, trokitën në KQZ me një ankesë në fillim të këtij muaji, për ta shpallur të pavlefshëm rezultatin e 4 gushtit të zgjedhjeve në Himarë, ku fitoi kandidati i PS-së, Vangjel Tavo.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, në shqyrtimin e të mërkurës dhe së enjtes së ankesës, mori vendim në favor të kërkuesve, për të hapur kutitë e votimit, jo për të lexuar votat edhe një herë, por për të nxjerr prej aty materialet zgjedhore, ku demokratët mendojnë se do të gjejnë parregullsi.

“Duke qenë se 2 anëtar te KAS shfrytëzuan të drejtën që buron nga neni 21 fraksion 2 si dhe praktika e konsoliduar ne rastet e mëparshme, vendoset pa debat te hapen kutitë e materialeve sipas kërkesës së ankuesit”, tha anëtari i KAS Koli Bele.

Me hapjen e kutive, demokratët do të verifikojnë të gjithë regjistrat e posaçëm të 36 qendrave të votimit në Himarë, që sipas tyre janë evidentuar të paktën 560 zgjedhës qe nuk janë lejuar të votojnë pasi karta ID-t e tyre rezultonte me datë të skaduar.

SHKARKO APP