Hapet dera e avionit në ajër….

Mungesa e bulonave që sigurojnë panelin në kornizën e avionit “Boeing 737 Max 9” mund të jenë shkaktari i shkëputjes së derës në avionin e kompanisë “Alaska Airlines” muajin e kaluar, sipas grupit që po kryen hetime. Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit publikoi të martën një raport paraprak mbi incidentin e 5 janarit.

Në raport përfshihet një foto nga firma Boeing, e cila e prodhoi panelin, ku shihet se mungojnë tre nga katër bulonat që pengojnë lëvizjen e panelit. Vendndodhja e bulonit të katërt nuk shihet.

Hetuesit thonë se mungesa e dëmtimeve rreth panelit tregon se të katër bulonat mungonin përpara se avioni të nisej nga Portlandi i Oregonit. Pilotët u detyruan të bënin një ulje urgjente me një vrimë në anën e avionit. Mungesa e bulonave bëri që paneli të shkëputej nga korniza e avionit.

Raporti paraprak tregon se pajisja që mbyll portën e avionit, e instaluar nga kompania e furnizimit “Spirit AeroSystems”, mbërriti në fabrikën Boeing pranë qytetit Seattle me pesë pjesë të dëmtuara. Ekipi i firmës Boeing i zëvendësoi pjesët e dëmtuara, proces i cili kërkonte heqjen e katër bulonave në fjalë.

Ekspertët e sigurisë kanë thënë se aksidenti mund të kishte patur pasoja katastrofike nëse avioni do të kishte arritur lartësinë e duhur të fluturimit. Ulja e presionit në avion pas shkëputjes së panelit do të kishte qenë e lartë dhe pasagjerët dhe ekuipazhi mund të mos kishin qenë në karrige me rrip sigurimi.

Megjithëse raporti paraprak vuri në dukje rolin e firmës Spirit në incident, shefi i firmës Boeing, David Calhoun, tha javën e kaluar se kompania e tij i mbante përgjegjësitë.

“Dua që të gjithë ta dinë se Boeing-u i mban përgjegjësitë. Ne zotërojmë zinxhirin tonë të furnizimit dhe firmën Spirit. Ne jemi përgjegjës për rezultatet e punës sonë”, tha zoti Calhoun për rrjetin CNBC.

Incidenti ka shtuar pikëpyetjet në lidhje me cilësinë e prodhimit të firmës së avionëve Boeing.

Administrata Federale e Aviacionit po heton nëse firma Boeing dhe furnitorët e tij kanë ndjekur procedurat e duhura të sigurisë në prodhimin e pjesëve për modelin e avionit Max. Agjencia amerikane e ka ndaluar firmën Boeing që të përshpejtojë prodhimin e modelit 737 derisa agjencia të jetë e kënaqur me cilësinë e prodhimit./VOA/

SHKARKO APP