Hapi i radhës drejt Integrimit, zyrtarizohet data e konferencës Shqipëri-BE
Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të mbahet më 26 maj 2026. Një ditë më parë vendet anëtare të Bashkimit Europian dhanë dritën jeshile për miratimin e raportit të IBAR-it për Shqipërinë, një zhvillim i konsideruar kyç për avancimin e mëtejshëm të negociatave.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Këshilli i BE-së përmes një njoftimi në faqen zyrtare, ku shkruhet se takimi do të shërbejë për të konfirmuar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme nga Shqipëria dhe për të vendosur standardet përmbyllëse për Grupin 1 të negociatave. Në standardet përmbyllëse që pritet të vendosen, sipas njoftimit të Këshillit të BE-së, bëjnë pjesë funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike dhe kriteret ekonomike.
Pas miratimit të IBAR-it, dosja kalon në COREPER II, Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, ku pritet edhe sanksionimi formal për zhvillimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Shqipëria mban statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian që prej vitit 2014, ndërsa objektivi i qeverisë mbetet anëtarësimi i plotë në BE deri në vitin 2030.
Njoftimi i Këshillit të BE-së:
Konferenca e 8-të e Anëtarësimit me Shqipërinë, 26 maj 2026
Pikat kryesore të rendit të ditës
Takimi i tetë i Konferencës së Anëtarësimit me Shqipërinë do të mbahet më 26 maj 2026 në Bruksel.
Takimi do të shërbejë për të konfirmuar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme nga Shqipëria dhe për të vendosur standardet përmbyllëse për Grupin 1 ‘Bazat’, duke përfshirë funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformën e administratës publike (Kapitulli 23 – gjyqësori dhe të drejtat themelore, dhe 24 – drejtësia, liria dhe siguria), dhe kriteret ekonomike (Kapitulli 5 – prokurimi publik, 18 – statistikat dhe 32 – kontrolli financiar).
KOHA JONË SONDAZH

