Hapja e kutive? KAS jep të enjten vendimin për Kukësin

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve zhvilloi këtë të mërkurë mbledhjet e radhës për shqyrtimet e ankimimeve të Partisë Demokratike në lidhje me kontestimin e tabelave të rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit të certifikuara nga KQZ për të 12 qarqet.

KAS përfundoi edhe shqyrtimin e kërkesës ankimore nr. 37 (qarku Kukës) dhe vendimmarrja do të shpallet ditën e Enjte, datë 5 qershor, në orën 09:50. PD kërkon pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve për këtë qark.

Sot (4 qershor), në rend dite ishin edhe ankimimet për Fierin dhe Durrësin. Përfaqësuesi i PD-së, Franc Nuri, pretendoi në ankimimin e tij për Fierin, ku demokratët humbën thellë 12 me 4 mandate ndaj PS-së, se kishte parregullsi të shumta, duke u përqendruar tek përdorimi i makinerisë shtetërore dhe administratës, patronazhistëve dhe deri tek ‘asfalti elektoral’, devijimi i votës dhe veçanërisht vota e diasporës e manipuluar.

Më pas diskutimi kaloi edhe te Durrësi, ku u vu re prezenca në sallë edhe e dy prej kandidatëve të PD-së, Aulon Kalaja dhe Ilirjana Kuçana, që pretendojnë manipulimin e votës brenda partisë, që u ka hequr mandatin atyre në favor të Arjan Ndojës. Pas diskutimeve me përfaqësuesit e KAS, sepse sipas ligjit kandidatët nuk mund të përfaqësohen individualisht, por me partinë, u kërkua verifikimi i 39 kutive. Më parë, i përfaqësuar edhe nga Partia e Legalitetit në ankim, KAS ia kishte pranuar kërkesën Aulon Kalasë, por pa u shprehur për rinumërimin. Dy kandidatët u lanë të ndiqnin mbledhjen, teksa pretendojnë se ka prova se vota e tyre ka devijuar.

Kandidati Aulon Kalaja dhe përfaqësuesi i tij shprehën qëndrimin për verifikimin e 39 kutive ku pretendohej se ishte devijuar vota e tij brenda PD-së dhe ku u shpreh se ka prova që duhen shqyrtuar. Anëtari i KAS, Ilir Rusmali, kërkoi që provat të silleshin konkrete, me detaje se ku ndodheshin ato fletë votimi, edhe nëse ishin në më shumë se 39 kuti, por i kërkoi kohë ankimuesit Kalaja dhe i la afat deri ditën e hënë për këtë grumbullim faktesh që do dorëzonte.

Kalaja u shpreh se i kishin këto të dhëna dhe do i dorëzonin. Kujtojmë se KAS e ka pranuar Kalanë si ankimues, por pa garantuar ende rinumërimin që kërkojnë. Në fund, relatori i çështjes, Elvis Çefa, deklaroi shtyrjen e seancës dhe rimbledhjen e trupës për vendim ditën e martë, datën 10 qershor, ora 13:00 e pasdites.

SHKARKO APP