Harito: Deri në 2025-ën, jo më letra por dokumente online
Ministrja e Shtetit per Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito tha se përmes modernizimit të administratës synohet që në vitin 2025 të mos ketë më dokumente letra por çdo gjë të jetë në formë elektronike.
Në aktivitetin e zhvilluar sot në ambientet e “Innovation Hub”, ku ishte e pranishme dhe ministrja Harito, u prezantuan edhe rezultatet e punës së agjencive të inovacionit për periudhën 2013-2016. Ajo solli në vëmendje se pas 10 vitesh shumë profesione do të zhduken për shkak të zhvillimit teknologjik, ndaj dhe sipas saj, ka shumë rëndësi investimi në teknologji.
“Ky sektor është këtu për të formuar një administratë europiane. Ka një mënyrë sesi ne mund të transformojmë administratën. Një administrim i mirë i burimeve njerëzore dhe një infrastrukturë moderne. Ndaj, që administrata të mund të funksionojë mirë nuk duhet të këtë më letra. Kur erdhëm në qeveri ne pamë që administrata nuk ka qenë efikase ndaj jemi fokusuar në modernizimin e saj. Synojmë që në 2025 të mos këtë më letra por dokumentet të mund të jepen dhe merren online”, tha ajo.
Harito vuri në dukje se, pa një administratë funksionale, nuk mund të zhvillohet vendi. Gjithashtu, ajo tha se në 2025 synohet që nga 60% e shqiptarëve që kanë aktualisht akses në internet, shifra të shkojë në 90% të mbulimit të popullatës me internet.
Sipas Haritos, reforma në administratën publike solli edhe rritjen e besimit për të zhvilluar karrierën në bazë të aftësive. “Ne duam të shkojmë drejtë një administrate të hapur dhe me standarde të larta”, përfundoi ministrja Harito.

