Harta e re gjyqësore, Adriatik Lapaj: Është cenuar e drejta e qytetarit për të pasur akses në drejtësi
Me hartën e re gjyqësore, avokati Adriatik Lapaj thotë se ata që do të preken nga vendimi nuk janë avokatët, por drejtpërdrejtë qytetarët. Për të është cënuar e drejta e qytetarit për të pasur akses në drejtësi si edhe janë shtuar kostot me të cilat qytetari do të duhet të përvballet në rast se do të synojë të kërkojë drejtësi.
”Qytetari nga gjykata nuk duhet të jetë më shumë se 30 kilometra larg. Sot kemi 6 gjykata administrative të Shkallës së parë që me hartën e re kalojnë në Lushnje. Janë rritur kilometrat midis qytetarëve dhe Gjykatave. Kjo do të thotë që në shumicën e rasteve qytetarët do të duan të lënë ditën e punës, do të punësojnë një avokat që kushton më shumë dhe do të kenë më shumë kosto për karburantin.
Së dyti, rritet korrupsioni sidomos në çështjet administrative. Kemi shumë inspektoriate që penalizojnë qytetarët që pretendohet se kanë bërë shkelje. Kur gjykatat ishin afër mundësia për qytetarët që të shkonin në gjykatë dhe të kundërshtonin gjobën administrative ishte më e lartë.
Së treti, zbraz qytetet nga intelektualë, avokatë, ekspertë të fushës. Mendoj që kjo që ka ndodhur nuk është menduar mirë. Në vende të tjera Moldavi dhe Portugali kjo reformë pranohet edhe në raporte që ka dështuar”.