Harta e rrugëve të bllokuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës

 

Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës si pasojë e rreshjeve apo daljes së lumenjve nga shtrati, kanë bllokuar disa rrugë.

Autoriteti Rrugor njofton se aksi i vjetër Levan – Vlorë është i mbyllur si pasojë e daljes së ujit në rrugë. E bllokuar është edhe një pjesë  rrugës Vlorë – Selenicë, te Bishti i Malit, si pasoje e daljes së Vjosës nga shtrati.

Ne aksin Gjirokastër-Tepelenë rekomandohet të bëhet kujdes, për shkak të rënies së gurëve në vendin e quajtur Shkalla e Zezë.

Në Elbasan, në rrugën e Gjinarit nuk mund të kalohet, për shkak të rrëshqitjes së 1.5 m të trupit të rrugës në fshatin Shelcan.

Ndërsa rruga Cërrik-Banjë-Gramsh është e bllokuar si pasojë e daljes së lumit Devoll nga shtrati.

Probleme ka patur me disa rrugë rurale edhe në Shkodër.

Në aksin Shkodër – Qafë Qelë ka shembje dherash në fshatin Ganjollë. Qarkullimi kryhet me një korsi me vështirësi.

Një ditë më parë u bllokua qarkullimi edhe në rrugën Levan – Tepelenë, pasi në një segment ajo u përmbyt nga Vjosa.

E bllokuar mbetet edhe rruga Tiranë – Elbasan. Autoritetet e kanë ndaluar qarkullimin nga frika e rrëshqitjeve të tokës në Ibë, ku po punohet për autostradën e re.

SHKARKO APP