Haxhinasto: Në 3 vjet, 30 mln dollarë investime për sinjalistikën dhe mirëmbajtjen
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka marrë pjesë në konferencën “Standartet e Sigurisë Rrugore në Bashkimin Europian, pikë referimi për Shqipërinë”. Ministri Haxhinasto theksoi se OKB e konsideron këtë dekadën e sigurisë rrugore, duke patur parasysh përmasat e këtij problemi dhe impaktet e tij. 1.2 milion njerëz vdesin në vit nga aksidentet rrugore, 50 milion janë të paaftë për punë. Kostot e aksidenteve arrijnë deri 4 % të PPB. Nga të dhënat rezulton se përdorimi i rripave të sigurisë ul me 60% numrin e aksidenteve, ndërsa 80% ulet te fëmijet nëse përdoren sediljet e veçanta dhe rripat e sigurimit.
90 % e aksidenteve ndodhin në vende që kanë 54% të numrit të automjeteve.
Haxhinasto e quajti një çështje mirëfilli zhvillimore dhe se për trajtimin e saj duhet angazhimi i gjithë shoqërisë. Më tej ai u ndal te Plani Kombëtar i sigurisë rrugore i miratuar në janar 2014, që solli një efekt pozitiv në uljen e aksidenteve në rreth 20 përqind gjatë atij viti.
Ministri u ndal në disa nga masat kryesore ligjore, veçanërisht, në ndryshimet e Kodit Rrugor, i cili pavarësisht nga rezistenca e momentit, solli rezultate të ndjeshme në plotesimin e kuadrit ligjor, në përmirësimin e shërbimeve të transportit, si dhe forcoi zbatueshmërinë e ligjit edhe nëpërmjet gjobave. Më tej ai përmendi paketën e masave kundër informalitetit, paketën e masave për transportin e fëmijëve, të cilat kanë synuar rritjen e sigurisë rrugore. Ai tha se sfidë madhore mbetet zbatimi i këtyre masave.
Ministri Haxhinasto u ndal te investimet në sinjalistikë në disa akse të rëndësishme, duke sjellë përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së rrugëve. Por pavarësisht kësaj, Haxhinasto tha se duhen me shumë investime në këtë fushë, dhe për këtë këtë është edhe projekti mes Qeverisë dhe Bankës Botërore, me një vlerë rreth 130 ml dollarë për përmirësimin e mirëmbajtjes dhe sinjalistikës. Këto 3 vitet e fundit, tha ai, janë investuar rreth 30 milion dollarë për sinjalistikën dhe mirëmbajtjen.
“Banka Botërore dhe Qeveria Shqiptare janë duke e realizuar një projekt për përmirësimin e mëtejshëm të sinjalistikës dhe sigurisë rrugore me një vlerë rreth 130 ml dollarë, që do të sjellë një standart krejtësisht tjetër të rrjetit kryesor të rrugëve tona kombëtare. Ndër projektet që mund të përmend deri tani ku ka pasur investime të dukshme në infrastrukturë janë aksi Rrogozhinë-Butrint, segmenti Tiranë-Kashar-Rinas, po realizohet segmenti Rrogozhinë-Elbasan- Qafë Thanë, apo Fushë Krujë-Shkodër- Hani I Hotit dhe Muriqan”.
Ministri Haxhinasto tha se duhet bërë më shumë në ndërgjegjësimin e qytetarëve, që të mos dëmtojnë sinjalistikën. Haxhinasto theksoi se të gjithë duhet të jemi të interesuar që rruga, të trajtohet si aset kombetar dhe ta kthejmë atë në një vlerë të madhe përfitimi ekonomik të qëndrueshëm.
Ministri u bëri thirrje kompanive të sigurimeve të angazhohen përsëri për të ndihmuar fushatën e ndërgjegjësimit me qytetarët. Haxhinasto u bëri thirrje edhe medjave të angazhohen në atë që ai e quajti kulturë e re kombëtare për sigurinë në rrugë.
Në përfundim, Ministri kërkoi që gjithë emigrantët që vijnë në Shqipëri me pushime, të sillen në rrugët e vendit po me atë rregull që sillen në vendet ku jetojnë.
KOHA JONË SONDAZH

