Healey: Prania ushtarake e BM-së në Estoni tregon lidhjet e saj të forta me NATO-n
Trupat britanike që shërbejnë në krahun lindor të NATO-s gjatë Krishtlindjeve po i dërgojnë një “mesazh të fuqishëm” presidentit rus Vladimir Putin për angazhimin e Britanisë së Madhe ndaj sigurisë evropiane, tha sekretari i Mbrojtjes, John Healey.
Healey tha se personeli ushtarak po shërbente në një botë në të cilën pasiguritë globale po rriteshin.
Sipas tij, 900 trupat britanike në Estoni janë ndër 10 000 anëtarët e forcave të armatosura britanike të dislokuara jashtë shtetit gjatë periudhës së Krishtlindjes.
“Dislokimi i ushtarëve britanikë në Estoni tregon përkushtimin tonë të palëkundur ndaj NATO-s dhe sigurisë së Evropës, duke na mbajtur të sigurt brenda dhe të fortë jashtë vendit”, tha ai.
“Prania jonë këtu është një mesazh i fuqishëm për aleatët dhe kundërshtarët tanë se -Britania e Madhe është e gatshme të mbrojë aleatët e saj dhe të mbështesë vlerat tona të përbashkëta, gjatë gjithë vitit”, tha Healey.
Healey vizitoi bazën ushtarake Tapa në fillim të këtij muaji.
Personeli i forcave do të vendoset gjatë Krishtlindjeve në 60 operacione në 44 vende, ndërsa qindra të tjerë do të jenë në detyrë në BM për të mbrojtur qiejt, brigjet dhe detet e Britanisë së Madhe.
“Këtë Krishtlindje, unë i bëj një nderim të veçantë atyre 10 000 ushtarakëve që janë dislokuar jashtë shtetit, shumë prej tyre nuk shohin familjen dhe të dashurit në këtë kohë të rëndësishme”, tha ai. //a.i/ ATSH