HEC-et private rrisin prodhimin, realizuan 50.3 % të energjisë
Në tremujorin e parë të këtij viti energjia e prodhuar nga hidrocentralet private, koncesionare dhe prodhuesit fotovoltaikë tejkaloi atë të prodhuar në HEC-et publike.
Të dhënat e INSTAT treguan se hidrocentralet publike, në tremujorin e parë të vitit 2024, prodhuan 1.162 GWh nga 1.614 GWh të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2023, duke shënuar kështu një rënie të prodhimit me 28.1 %.
Hidrocentralet private dhe koncesionare, prodhuan 1.246 GWh nga 1.156 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 7.8 %.
Prodhimi i energjisë nga fotovoltaiket llogaritet në tremujorin e parë të këtij viti 70, 140 MWh nga 16,515 MWH që ishte në të njëjtën periudhë të 2023-shit.
“Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë arriti vlerën 2.478 GWh nga 2.787 GWh energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2023. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 46.9 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 50.3 % dhe nga fotovoltaikët në masën 2.8 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike, thuhet në raportin e INSTAT-it.
Ndryshimi në tregun e prodhimit të energjisë lidhet së pari me rritjen ndjeshëm të numrit të HEC-eve private që janë futur në ciklin e prodhimit, por dhe me politikat e kompanive publike për të administruar rezervën hidrike në kaskadën e Drinit.
Kriza energjetike, më e rënda në shumë vite, e cila nisi nga kërkesa në rritje për energji, kur bota po dilte nga pandemia e COVID-19 e që u thellua me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, vuri përpara një dileme shumë të madhe të gjitha vendet qofshin këto të vogla apo të mëdha.
Tranzicioni i gjelbër apo siguria energjetike. Të vihesh para kësaj zgjedhje është një nga situatat më të vështira.
Shumë vende u detyruan të shtyjnë apo të pezullojnë përkohësisht planet e dekarbonizimit, duke i dhënë prioritet sigurisë së furnizimit me energji për të gjithë abonentët.
Kjo situatë risolli në vëmendje edhe një herë nevojën për të gjetur një ekuilibër të qëndrueshëm në politikat afatgjata ndërmjet interesave të zhvillimit ekonomik, atyre mjedisore, por edhe atyre sociale.
Në fakt Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në nxitjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme.
Shqipëria edhe pse një vend që tashmë e ka të gjithë prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme të energjisë, shumica dërrmuese është nga hidrocentralet. Kjo e bën prodhimin e energjisë shqiptare të cenueshëm ndaj ndryshimeve klimatike, të cilat ndikojnë gjithnjë e më shumë në hidrologji.
Për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të zvogëluar nevojën për importe të energjisë elektrike, vendi po bën përpjekje për të diversifikuar burimet e energjisë.
Falë bashkëpunimit me BERZH janë tenderuar gjithsej rreth 765 MW fuqi e instaluar energjie nga burimet e rinovueshme, nga të cilat 465 MW janë dhënë tashmë dhe njëri prej tyre, centrali i Karavastasë, me kapacitet 140 MW ka nisur prodhimin.
Duke rishikuar ligjin “Për sektorin e energjisë”, qeveria po nxit më tej zhvillimin e burimeve të rinovueshme dhe do të përafrohet me standardet e Bashkimit Europian.
BERZH po punon me autoritetet shqiptare për të kryer një studim për zhvillimin e erës në det të hapur. Pra, ka shumë mundësi që Shqipëria të diversifikojë prodhimin e energjisë dhe BERZH është shprehur i gatshëm të vazhdojë të mbështesë autoritetet shqiptare për të përmbushur këto ambicie.
ATSH