Heqja e patrullave rrugore, 14 viktima dhe 62 të plagosur nga aksidentet për 2 javë
Prej 10 prillit, Policia e Shtetit ka ndryshuar qasjen ndaj kontrollit në rrugë. Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita ka urdhëruar që patrullat të shmangin ndalimet e mjeteve në akset kryesore, duke u mbështetur më shumë tek teknologjia si radarët dhe dronët për identifikimin e shkeljeve.
Ky vendim synon të reduktojë ndalimet e pajustifikuara dhe të rrisë transparencën, një hap që, sipas reagimeve në media, është mirëpritur nga qytetarët. Megjithatë, të dhënat e fundit ngrenë dyshime mbi efektin real të kësaj mase në sigurinë rrugore.
Referuar shifrave të INSTAT, gjatë marsit 2026 u regjistruan 10 viktima dhe 107 të plagosur nga aksidentet rrugore. Ndërkohë, vetëm në dy javët pas hyrjes në fuqi të urdhrit të ri, mediat raportojnë të paktën 36 aksidente, me 14 viktima dhe mbi 60 të plagosur. Krahasimi tregon një rritje të numrit të viktimave në një periudhë më të shkurtër kohore, edhe pse këto të dhëna bazohen vetëm në rastet e raportuara publikisht.
Ekspertët e sigurisë rrugore theksojnë se mungesa e pranisë fizike të policisë mund të ndikojë në sjelljen e drejtuesve të mjeteve, duke ulur ndjesinë e kontrollit dhe rrezikut të ndëshkimit të menjëhershëm.
KOHA JONË SONDAZH

