Heroi Arjan Sala/Punonte prej 5 vitesh si roje sigurie dhe baba i një djali

Arjan Sala i lakuar si heroi i ditëve të fundit, mbeti mes flakëve për të shpëtuar kolegët. 33-vjeçari prej 5 vitesh punon në këtë qendër tregtare si punonjës i sigurisë. Nga kolegët, ai njihej si një person tepër korrekt dhe i sjellshëm.

Miqtë e tij tregojnë se Arjani u shkonte gjithmonë në ndihmë. I zëvendësonte në punë edhe kur ata mungonin për arsye shëndetësore. Mirësinë ndaj të tjerëve, ai e tregoi edhe me aktin e fundit. Arjan Sala është baba i një fëmije 2-vjeç. I vetmi që punon në familjen e tij. Jeton me bashkëshorten, djalin, nënën dhe të atin. Familjes i ka siguruar të ardhura që në moshën 18 vjeç, kur nisi edhe punën e parë.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi është mjaftuar me fjalët “po kryejmë veprimet hetimore”, ndërkohë që kanë kaluar dy ditë që nga momenti që shefi i sigurisë së qendrës Tregtare “Casa Italia”, Arjan Sala ndodhet në magazinën që u dogj.

Në një prononcim për mediat, Jaupi u shpreh se zjarrfikësit kanë bërë të gjitha veprimet që kanë mundur dhe se janë ende në ndjekje të situatës. ”Jeni dëshmitarë të të gjithë veprimeve që zjarrfikësit që po bëjnë, për shkak të materialeve që magazina ka pasur brenda, ka qenë një pjesë e mallit plastik dhe ka dëmtime të mëdha në bodrum. Policia po bën veprimet hetimore, jemi në ndjekje të vazhdueshme të situatës bashkë me zjarrfikëset”.

Familjarët kanë humbur shpresat që 33-vjeçari të jetë gjallë, Në ndihmë të forcave zjarrfikëse ditën e djeshme kanë mbërritur dhe forcat ushtarake të cilët po kërkojnë për trupin e Salës. Brenda godinës kanë filluar të marrin flakë dhe kabllot elektrike dhe për pasojë po merr flakë dhe polesteroli i cili do ta vështirësojë më tej shuarjen e flakëve.

SHKARKO APP