Heshtja e Edi Ramës për protestën e 7 korrikut

Nga Nikoll Lesi

Berisha u rikthye në krye të PD-së. Protesta ishte e madhe në numër pjesëmarrësish, ishte diçka që pakkush e besonte se mund të ndodhte në korrik, ku vapa të merr drejt detit e jo kah Bulevardit kryesor të Tiranës.

Pa e zgjatur, Berisha është tashmë prapë lider opozite.

A vjen dot në pushtet?

Kjo do kohë për t’u parë, megjithëse duket e vështirë të rikthehet përsëdyti. Në vitin 2005 ishte në kulmin e tij, kurse tani edhe vitet i rëndojnë në ngjitjen e malit të pushtetit. Por ka një fjalë në anglisht ”never say never” që do të thotë “kurrë mos thuaj kurrë!”.

Nejse, Berisha pabesisë së Bashës, ia doli. U rikthye!

Problemi nuk është Berisha në këtë shkrim. Është Edi Rama.

Nëse shikon me kujdes deklaratën e analistit të njohur Baton Haxhia që tha te Blendi Fevziu në “Opinion” se protesta në numër ishte surprizë, ndonëse Batoni theksoi se nuk beson te politikani Berisha; pra shqetsimi mbetet te pushteti për 7 korrikun.

Baton Haxhiu është njeri i besuar i kryeministrit Rama. Ndaj ajo që tha Batoni tregon se kryeministri nga habia e numrave të protestës, po mendon zgjidhjen.

Nuk janë pak gjithë ata njerëz, të cilët në shtator mund të dyfishohen apo trefishohen.

Edi Ramën e njoh, mendoj se e njoh mirë. Ishte pjesë e stafit të KOHA JONE në vitet e historisë së madhe të kësaj gazete. Asnjëherë nuk shkruante për lekë, artikujt dhe intervistat i jepte për parimet që mbarte në kokë. Kam parë shkrues shkrimesh që më parë mendonin honorarin që do t’ju jepja se sa brendinë e artikullit. Por jo Edi! Eshtë soji tjetër.

Për dreq, kam parë shumë nga kjo botë mediatike dhe politike.

Pra Rama nuk turret te leku, këtë e kam bindje të kahershme. Ai do historinë, lavdinë, përmendoren pasi të ikë nga kjo Botë.

E megjithatë dorën në prush nuk e vë, pasi vetëm për veten time mund ta djeg dorën e betimit në shpurën e zjarrit!

Edhe për Sali Berishën, kur ndërtoi Rrugën e Kombit, çfarë nuk thanë e nuk thuhet! Se ka vjedhur kaq e aq. Se ka bërë namin. Por unë vlerësoj veprën që bëri, Rrugën e Kombit. Asnjeri përveç Sali Berishës nuk e bënte atë rrugë që lidh dy pjesë të Kombit Shqiptar, duke i bërë realisht në një.

Pushteti i Berishës më ka djegur si KOHA JONE, nuk e harroj! Por Rruga e Kombit të bën ti përkulesh me respekt.

E thashë këtë për të dalë te Edi Rama. Ai e pikturon Shqipërinë sipas konceptit të tij, e vizaton, e zgarravit, e gris, e fillon prapë derisa të dali përfektja. Por ai është Edi Rama, ashtu duhet pranuar si artist që fluturon nga Tirana në Surrel e nga Surreli në planetin Mars.

Dhe artistët nuk vrasin, siç kanë vrarë paraardhësit e tij në qeveri. As nuk të djeg për mendimet e tua të kundërta.

Tani ai po hesht pas protestës së 7 korrikut. Nëse nuk do ta merrte seriozisht pjesëmarrjen, Edi do të kishte gjetur mënyra tallje apo ironie. E ka talentin e fjalës, të lindur dhe të kultivuar.

Por ai po hesht, sepse po mendohet.

Mendoj se dilemat e tij kryeministrore shkojnë deri në një qeveri të re në vjeshtë, muaj kur realisht dyshja Berisha-Meta do të jetë në aksion. Një “luan” çdo luftëtar e përballon,  kurse kur bëhen dy luanë, është pak e vështirë, sepse dikush mund të thotë se Berishës i kanë rënë dhëmbët, por akoma një dhëmb e ka në gojë sa për të të kafshuar.

Dhe kafshimi i tij është plot helm!

Ndaj Edi Rama nuk ka folur, asnjë fjalë.

Në të vertetë Rama e mendon Shqipërinë sipas konceptit të tij, nuk pyet shumë. Por Shqipëria nuk është vetëm e tij. Është edhe e jona!

Edi Rama në një intervistë që më dha në nëntor 2013, të parën intërvistë që pranoi nga media e shkruar (edhe për respekt të kohës që kishte punuar në KOHA JONE) pyetjes time nëse shikon paranë (lekun) apo historinë, ai u përgjigj se “dua të mbetem në histori”.

Dhe e besoj Ramën në këtë që tha, asokohe.

Dikush, nga ata të rrjeteve sociale që rrinë me pistoletë në dorë për të sharë, mund të turret edhe me sëpatë në dorë, por nuk ma ndien fare se çfarë thonë.

Rëndësi ka te ajo që besoj!

Edi Rama po mendohet seriozisht se si të reagojë pas protestës së 7 korrikut. Jo me dhunë, as me shantazh, por me gjetjen e zgjidhjes sepse njerëzit nuk ishin pak në Bulevard.

Ishin shumë, dhe me shumë do mblidhen.

Ndaj Edi Rama ka nevojë për gjetjen e një zgjidhje të besuar, e jo sa për momentin. Ata ministra që ia kanë rënduar besimin në popull, duhet ti largojë. Mënjëherë dhe pa mëshirë!

Në histori mbetesh kur merr vendime të forta e të vështira.

SHKARKO APP