Historia/Dritëro Agolli: Parlamenti ynë në formë është Parlament, në përmbajtje është Parti

(Botuar me 12 Janar 1994 në KOHA JONE)

-Intervistë me deputetin Dritëro Agolli-

Si ndjehet Dritëro Agolli në këtë fillim viti përballë vetes, gruas, fëmijëve, mbesës, miqve, kundërshtarëve, partisë, kombit e krijimtarisë letrare? I lodhur, i zhgënjyer apo i fortë dhe optimist?

Nuk ndihem keq. Jam i kënaqur që xha Kroni, Perëndia e kohës, më dha vizë në pasaportë që të kaloj më 31 dhjetor për t’u hedhur matanë kufirit të vitit 1993 dhe për të jetuar në hapësirën e 1994. Xha Kroni edhe mund të mos ma jepte këtë vizë të bekuar dhe kjo do të thoshte të më mbante përjetësisht në hapësirat e 1993, domethënë të vdekur… Prandaj nuk ndihem keq: e mora dhe një vizë! Të tjerat pastaj kalohen. Gruaja tani më do më shumë si njeri dhe jo si qenie mashkullore, se kjo qenie si e tillë dalëngadalë po na lë shëndenë. Zjarri i miqve të vërtetë nuk është shuar, megjithëse mjaft nga ata nuk kanë mundur të marrin vizat, dhe kanë mbetur të gjorët brenda kufijve të viteve të shkuar. Disa edhe janë ftohur nga unë si rrjedhim i ngricave politike. Kundërshtarët kaluan bashkë me mua kufirin e 31 Dhjetorit, bashkë i morëm vizat te xha Kroni dhe duke u çjerrë, duke u kacafytur për t’i marrë sa më shpejt e sa më parë, e kaluam kufirin duke nënqeshur me cepin e një buze. Dashuria për kombin më rritet, për atë kam bërë sa kam mundur dhe ende i kam borxh atij. Krijimtaria çuditërisht ka ecur mirë. Fëmijët e mi, vajza dhe djali, e mbajnë gjallë familjen tonë. Me vajzën diskutojmë për gjuhësinë tradicionale dhe moderne. Gëzohem që nuk e kanë nxjerrë në asistencë dhe që është shkëputur nga mendimi për t’u larguar nga Atdheu. Djali është në emigrim si shumë e shumë bij të tjerë dhe unë mezi pres telefonatat e tij. Nga gëzoi këtë Vit të Ri se na solli nga Shpajeri i Gjermanisë një mikun e vet gjakovar,i cili na gjallëroi me entuziazmin dhe vrullin rinor edhe ne të moshuarve, siç jam unë dhe gruaja ime. Mbi të gjitha më 1994, unë çmoj mbesën time, Anën, këtë zog që vërtitet gjithë ditën nëpër shtëpi dhe më thërret që nga prapa derës: “ngrehu o Dritëro, se na moli malli”!

Zhgënjime nuk kam pasur, pasi nuk kam pasur iluzione, nuk u kam besuar të gjitha atyre premtimeve që janë bërë për punësimin modern të njerëzve, për investime kapitale të menjëhershme, për zgjidhjen e shpejtë të çështjes kombëtare, për lulëzimin e turizmit të brendshëm e të jashtëm, për ujë të kristaltë me shumicë, për apartamente bashkëkohore evropiane, për infrastrukturë prej parajse, për telefonat te jastëku i çdo fshatari, për vëllazërinë, me opozitën dhe për respektin ndaj saj si në Europë, për lirinë e shtypit dhe për demokracinë e kulluar. Këto unë i kam marrë si shaka dhe nuk i kam marrë si të vërteta, që mund të realizoheshin aq shpejt sa u premtuan. Shumë nga këto premtime u bënë për të siguruar karrigen e karrierës. Tani karrigia lëkundet në tokë, karriera  varet në ajër. Me Partinë Socialiste, ku unë bëj pjesë, ndihem si mes vëllezërve me një dashuri dhe botëkuptim të përbashkët të ri dhe plot shpresa. Shumë kokëkrisur synojnë të na  çrrënjosin, por në fakt ata na prashisin për t’u rritur më mirë. Prandaj unë nuk ndihem i lodhur. Jam një optimist i moderuar. Optimisti i tepruar gjithmonë ka një dërraskë** mangut…

Çfarë do të vlerësonit nga e kaluara komuniste dhe e sotmja demokratike?

Nga e kaluara komuniste do të vlerësoja Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër fashizmit dhe bashkëpunëtorëve të tij, luftë që e udhëhoqën komunistët; do të vlerësoja reformën ekonomiko-sociale, menjëherë pas çlirimit, zhvillimin frontal të arsimit dhe të kulturës, sistemin e tokës dhe tharjen e kënetave dhe moçaleve, elektrifikimin e vendit me ndërtimin e hidrocentraleve nga më modernët, formimin e një botëkuptimi social për vlerat e njeriut në shoqëri, krijimin e atyre njerëzve që më vonë e kuptuan se sistemi totalitar filloi të ngrijë çdo gjë, atyre njerëzve që vendosën shoqërinë demokratike.

Nga e sotmja demokratike do të veçoja lirinë e individit dhe lirinë e pronës, lirinë dhe të drejtat e njeriut, lirinë e fjalës së shprehur dhe lirinë e shtypit, hapjen ndaj botës dhe lëvizjen e parasë. Njeriu sot është i çliruar nga shumë gjëra. Shumë gjëra të ndaluara u bënë të lira. Nuk ke frikë ta thuash atë fjalë dhe atë mendim që të duket i vërtetë. Por mbi të gjitha arritja më e madhe është pluralizmi, lindja e shumë partive.

Për çfarë jeni penduar dhe për çfarë nuk jeni penduar në jetë?

Nuk jam penduar që kam pasur një ideal të bukur socialist, qoftë edhe komunist. Kam ëndërruar një shoqëri humane ku të mbretëronte drejtësia dhe e vërteta. Edhe komunizmit në këtë sens i kam kënduar. Kam shkruar për lumturinë e vendit dhe kam lartësuar njeriun. Për këto nuk jam penduar. Jam penduar që kam besuar më tepër se sa duhej dhe nuk kam kundërshtuar sa duhej ndaj padrejtësive sociale që dilnin herë  haptazi dhe herë jo në sipërfaqen e shoqërisë. Tani pendohem që nuk kam shkruar gjithmonë me parimin se shkrimtari ngaherë është në opozitë me shtetin dhe regjimin, sado i përsosur të jetë ky regjim. Ideali i shkrimtarit nuk përputhet me idealin e shtetit. Po ta filloja nga e para jetën e shkrimtarit do të ishte një kontestator i regjimit. Si thotë populli, po të isha përsëri nuse, do të dija të nusëroja…

A ju vjen keq për kohën që i hani krijimtarisë duke shkuar në Parlament?

Nganjëherë më vjen keq, pasi nuk është gjithmonë kohë e dobishme. Megjithatë, parlamenti më ndihmon për të njohur sferën e lartë të jetës shqiptare.

Ndërhyrjet tuaja, ku do të veçonim përcaktimet “balazh”, “bandë”, dhe “kokëbosh” tashmë mbahen mend. Mendoni se parlamenti shqiptar vazhdon të ketë anëtarë që u përkasin këtyre përcaktimeve?

Të gjitha parlamentet në botë kanë “balazh”. Ndonjëherë këta “balazh” u japin ngjyra parlamenteve, prandaj kastile zgjedhin edhe nga kjo kategori. Edhe parlamenti shqiptar ka dhe do të vazhdojë të ketë nga këta. Ata pastaj japin një ndihmesë të ndjeshme në përparimin e humorit. Krijojnë një fushë të re të humorit me emrin “Humori Parlamentar”. Kështu që ata nuk kanë vetëm meritën e miratimit të ligjeve, por edhe meritën e zhvillimit të humorit. E merrni dot me mend se çfarë tradite do të kishin parlamentet sikur Nastradini të kishte qenë deputet në Bagdad dhe sikur të hidhej ai këtej nga Ballkani si kryetari i ndonjë grupi parlamentar?

Teza juaj e Panteonit të rralluar të historisë mendojmë se merr vlera filozofike për kohën në të cilën u tha dhe cilës i drejtohet. Dëshironi t’i shtoni ndonjë gjë mendimit tuaj të njohur?

Unë mendoj se për Panteonin e historisë do të ketë shumë diskutime kur parlamenti të marrë në shqyrtim kushtetutën. Fitimtarët do të përpiqen ta rrallojnë këtë Panteon për t’i hapur vend vetes së tyre. Panteonin e historisë, ata e kujtojnë si një banesë që ende nuk është privatizuar. Mendoj që në privatizim kjo banesë – Panteon t’i kalojë si pronë Partisë Demokratike…

Në rast se një ditë do t’i vendosnit ngjarjet e një vepre në parlamentin shqiptar të vitit 1993 dhe personazhet e saj do të ishin deputetët e sotëm, çfarë vepre do të merrnin në duar lexuesit: dramatike, tragjike apo komike?

Në përgjithësi kjo vepër do të ishte kryesisht komike. Parlamenti dihet nga varet dhe dihet se kush e drejton. Ndryshe është forma dhe ndryshe përmbajtja e tij. Në formë ai është parlament, në përmbajtje është Parti. Mospërputhja e formës me përmbajtjen lindin humorin dhe komedinë.

Sipas mendimit tuaj, në skenën politike shqiptare cilët janë njerëzit më të mirë dhe më të këqij, më të mençur e më budallenj, më tragjikë e më komikë dhe cilët prej tyre i kanë fatet e Shqipërisë aktualisht në dorë?

Se cilët nga parlamentarët janë më të mirë e më të këqij, më të mençëm e më budallenj, më tragjikë e më komikë, unë i di edhe me emra edhe një për një, pasi ngre kartonët bashkë me ta, pi kafetë bashkë me ta, marr rrogën bashkë me ta… I di një për një, por nuk mund t’i shpall në gazetë emrat e tyre pasi nuk është etike, veçanërisht edhe tani që ka dalë ligji për shtypin. Nuk jam aq i lajthitur sa t’jua tregoj emrat e tyre! Të këqij dhe budallenj janë shumë. Këta mund të mblidhen dhe mund të më heqin imunitetin. Nejse, heqja e imunitetit nuk më tremb. Gjithë Shqipëria është pa imunitet. Unë kam frikë nga tjetër gjë: Ngrihet ndonjëri, të hedh në gjyq, të këput dhe një dënim prej 8 mijë dollarësh që të të vijë festja vërdallë! Të më detyrojnë pastaj t’ia heq shtëpisë një dhomë e një kuzhinë, ta shes që të mbledh 8 mijë dollarët. Ne si familje kemi vetëm këmbët tona për t’u mbajtur, as prona private dhe as vetura për të shitur! As se cilët prej tyre i kanë fatet e Shqipërisë në dorë nuk mund ta them. Ju e keni fjalën se cilët drejtojnë: – budallenjtë, të këqijtë apo të mirët dhe të zgjuarit? Pra, nuk mund ta them. Sipas parimit e di që shumica e drejton dhe nuk mund ta cilësoj se si është kjo shumicë, me budallenj apo të mençëm. Po të ishte shumica me parlamentarë të mençëm, do ta thosha pa frikë që me të vërtetë drejton Shqipërinë. Po meqë shumica e parlamentarëve nuk është e mençur, nuk e them se cila e drejton vendin për këto arsye që fola më lart.

Çfarë zgjidhje do të afronte intelektuali Dritëro Agolli lidhur me çështjen kombëtare?

Për çështjen kombëtare kërkohet një ideal i lartë kombëtar në traditën e rilindësve, një ideal i një shkalle të re. Në kohën e rilindësve shqiptarët rrezikoheshin të shpërbëheshin si komb, të shkombëtarizoheshin dhe të asimiloheshin. Tani ky rrezik nuk është. Mbetet vetëm rreziku i qëndrimit të ndarë më dysh të shqiptarëve. Për bashkimin kombëtar kërkohet një program i përsosur, program i njëjtë si shtet, dhe si mbarëpartish, program i ndarë në faza të studiuara për arritjen e qëllimit final: Evropën duhet ta bindim se shqiptarët kanë një tokë, kanë një Atdhe dhe kjo tokë nuk duhet të jetë e ndarë si një frut në dy pjesë, ajo është një frut e plotë dhe e tërësishme. Të mos shprehemi në diplomaci, me vend e pa vend se kufijtë janë të palëvizshëm. Kufijtë janë vendosur padrejtësisht nga Evropa e vjetër. Evropa e re duhet ta korrigjojë Evropën e vjetër. Edhe ne duhet vetëm me servilizëm t’ia shtrijmë dorën Evropës, por edhe duhet ta paralajmërojmë me dinjitet e krenari se kjo gjyshe plakë do të mbajë përgjegjësi nga turbullirat që do të vijnë për arsye të ndarjes së Shqipërisë në dy pjesë. Ne nuk duam të mbetemi përjetë të sëmurë. Shqiptarët nuk do të qëndrojnë duarkryq ndaj kësaj sëmundje të trupit të tyre të sharruar në mes! Evropa ia arriti qëllimit. Krijoi një pluralizëm të ashtuquajtur demokratik në Kosovë si në një shtet Sovran, krijoi shumë parti në një tokë të pushtuar. Se çfarë pushteti duan këto parti, dreqi e merr vesh, kur pushtetin e ka serbi. Në tokën e pushtuar duhet të ketë vetëm një parti, partinë e opozitës shqiptare kundër pozitës, që janë serbët bashkë me partitë e tyre. Në Kosovë, me sa di unë, pasi pak takime kam pasur me ata si politikanë, janë këto parti: Lidhja Demokratike, Partia Demokristiane, Partia e Unitetit Kombëtar etj. Përse janë? Për të bërë polemikë me njëra-tjetrën, për një pushtet imagjinar? Cila nga këto parti ka pushtet? Kur ka shumë parti, si tek ne, njëra e ka pushtetin. Ndërsa në Kosovë pushtetin e ka Serbia, partitë shqiptare duan pushtetin në mes tyre! Dhentë e dhitë e Zeres, namë i Hasan Qerres! Komedi e madhe e vërtetë! Vërtet po shkojmë në Evropë jo në bashkim me Kosovën, por në bashkim me partitë…

A mund të ndërtojë Dritëro Agolli modelin e shtetit demokratik shqiptar me mençurinë e intelektualit dhe shpirtin e poetit dhe si?

Të jepet modeli i një shteti nga një shkrimtar aq më tepër nga një poet, është një gjë shumë e vështirë. Në romane, shkrimtarët kanë bërë përpjekje të ndërtojnë ndonjë model shteti, por edhe atje pa ndonjë sukses të lakmueshëm. Unë vetëm do të dëshiroja që shteti demokratik të bazohej në drejtësinë dhe në humanizmin, të respektonte parimin e pluralizmit dhe të mos i ndante njerëzit sipas partive për t’i vënë në punë, por sipas aftësive. Ky shtet të respektonte më tepër mendimin e opozitës dhe të mos e quante destruktiv vetëm e vetëm se nuk i pëlqen asaj një problem i caktuar. Bile ka sharlatanë që i quajnë “amoralë politikë” ata që nuk mendojnë sipas partisë ku bëjnë pjesë këta sharlatanë. Model të një shteti demokratik, unë do ta quaj atë që ka nderin për njeriun dhe përpiqet t’ia bëjë jetën më mirë, duke i hapur fronte të mëdha pune. Këto fronte unë do t’i kërkoja në radhë të parë: 1. në industrinë e përpunimit të mineraleve, kromit, bakrit, hekur-nikelit. Të krijohet një industri e rëndë moderne, ku të mos eksportojë vagonë me dhe, por mineral të shkrirë e të përpunuar. 2. Në industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, ku ka fushë për t’u punësuar dhjetëra mijëra njerëz. 3. Në industrinë moderne ushqimore për ngritjen e fabrikave të frutave, perimeve, miellit, ullinjve. Fshatari atëherë do të bëhet me të vërtetë zot i pasur i tokës. 4. Në turizmin e detit, liqenit dhe malit bashkë me industrinë dhe infrastrukturën e tij. 5. Në përkrahjen e fshatarëve me traktorë dhe argatë të tjerë me kredi dhe çmime të arsyeshme. 6. Në zhvillimin e kulturës; shtëpive dhe klubeve të kulturës, bibliotekave, librarive bashkëkohore, shtëpive botuese, për t’u dhënë mundësi shkrimtarëve të botojnë gjerësisht. 7. Në një ekonomi tregu sociale, ku të vendosen herë pas herë tavan në çmimet dhe mbi tavanet të rriten taksat. (Ishte turp për shtetin tonë që i la të bënin tregtarët me çmimet e produkteve ushqimore dhe frutave siç deshën vetë në pragun e Vitit të Ri 1993).  8. Në zgjedhjen e kuadrit më të përsosur në Qeveri, që nga ministrat e deri tek portierët, pa dallim partish e pikëpamjesh. Mjafton një parti të ketë shumicën në parlament. 9. Në vënien në lëvizje të kapitalit. Të mos lejohet të mbetet i vdekur. Atij personi që e mban të vdekur kapitalin t’i vihen taksa. Ndërsa ky person investon për sipërmarrje dhe fabrika të reja të vetat, të përjashtohet nga taksat. Nëse mbetet në një fabrikë dhe sipërmarrje duke i lënë të vdekura fitimet, atëherë do t’i rriten taksat, kur i shton fabrikat, taksat t’i zbriten në maksimum. 10. Në rikonstruktimin dhe në riformulimin e qyteteve me reklama e ndriçime moderne, me dërgimin në Europë të njerëzve për t’u specializuar për pamjen e qyteteve. Dhe njerëz të aftë e të arsimuar nuk ka pak vendi ynë, pasi 1 në 7 vetë ka arsim të lartë. Shifër e lartë dhe që nderon çdo shtet.

Në ndërtimin e spitaleve shtetërore moderne, spitaleve private dhe spitaleve të bamirësisë, që të kenë mundësi të kurohen të gjithë. Dhe mbi të gjitha të mbretërojë respekti dhe dashuria për njerëzit. Por pyetja për përfytyrimin e shtetit, të modelit të tij, është një gjë shumë e vështirë. Presidenti duhet të konsultohet me mendje të ndritura për këtë model dhe të mos thërrasë për konsultim vetëm simpatizantë të një partie, vetëm të PD, sepse një pjesë e madhe e tyre e dimë se ç’do të thonë në këto konsulta: “Rrofsh o President, se na e bëre zemrën mal, që na ftove për konsultim. Është hera e parë në histori që një President bën konsultime!” Ja kështu do thonë, siç e kemi traditë për gjithë presidentët në të gjitha epokat.

Tregojnë se një nga Luigjët e Francës a i 15 a i 16, mbante një këshilltar tepër të rreptë, që e kundërshtonte pa frikë për shumë probleme.

Disa oborrtarë servilë e namuzqarë i thanë:

-Pse e mban këtë njeri të paturpshëm për këshilltar, o Madhëri?

Mbreti iu përgjigj:

Se thotë të vërtetën. Unë nga kundërshtimet e tij mësoj dhe nuk mësoj nga duartrokitjet tuaja.

Ja kështu.

Sipas jush, a është Berisha personi që mund të përballojë mentalitetin më të avancuar dhe të emancipuar shqiptar?

Kjo pyetje është pak e vështirë për mua, megjithatë do të mundohem t’i përgjigjem. Unë për zotin Sali Berisha kam pasur një respekt jo të vogël si njeri shkencëtar, mjek human, njeri shoqëror dhe si njeri që ka pasur një etje të madhe për të mësuar vazhdimisht dhe për t’u kulturuar sa më shumë. Kjo gjë më ka bërë përshtypje që atëherë kur e kam njohur. Ndoshta ka qenë viti ‘65 ose ‘66 kur e kam parë për herë të parë. E kam takuar në shtëpinë e tij ende të pandërtuar në fshatin e lindjes ku kisha shkuar si mik i të vëllait Selimit, një burrë i gjatë simpatik nga më të mirët arsimtarë dhe intelektualë të Tropojës. Që në kontaktin e parë Saliu më bëri përshtypje për kuriozitetin që tregonte të mësonte gjithçka nga mysafiri i asaj nate. Më vonë e kam takuar përsëri disa herë dhe ruaj të njëjtat përshtypje për të. Në kohën e lëvizjes demokratike kemi biseduar disa herë së bashku se si do të vejë puna e demokracisë në Shqipëri dhe si mund të influencoja unë me grupin tim parlamentar që atëherë bënte shumicën për të bërë zgjedhje të parakohshme në Shqipëri. Pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e marsit ‘92 kam pasur mendim se Berisha ishte njeriu më i përshtatshëm për President dhe sot nuk përbën ndonjë sekret po të them se unë kam votuar për të. Por tani të flasim me gjuhën e Makiavelit. Makiaveli udhëheqësit i ndan në tre tipa: në të parin hyn ai udhëheqës që është shumë i zoti vetë dhe ka rreth vetes njerëz të zotë. Në të dytin hyn ai udhëheqës që nuk është shumë i zoti vetë, por ka shumë të zotë rreth vetes. Ndërsa në tipin e tretë hyn ai udhëheqës që është pykë vetë e pykë i ka dhe të tjerët rreth vetes. Tani si thoni ju, në cilin tip hyn Presidenti Berisha?

Çfarë nuk keni thënë ende si shkrimtar intelektual dhe politikan?

Nuk kam thënë ende shumë gjëra. Po të mos më bjerë ndonjë damlla, siç thoshte dikur një miku im, Çoti Papuli, do të mundohem ta them një pjesë. Por me mua është çudi: shkoj në Parlament, më duket sikur gjithë Shqipëria bën Parlament. Shkoj në spital, më duket sikur në spital janë të gjithë të sëmurë. Shkoj në varreza, më duket sikur të gjithë kanë vdekur. Shkoj të dëgjoj ndonjë orkestër, më duket sikur të gjithë u bien trompave dhe kontrabasëve. Lëre, lëre, se ç’bëhet me mua!

Këto paradokse më pengojnë ndonjëherë t’i them e t’i shkruaj të gjitha ato që nuk kam mundur. Dhe kam për të thënë shumë veçanërisht për Luftën Nacionalçlirimtare për ndeshjen e forcave të kundërta, për forcat e lëkundura, për sahanlëpirësit e pushtuesit e huaj, që tani na dalin patriotë të mëdhenj dhe marrin dekorata, duke u hequr zvarrë për të hyrë në Panteonin e historisë. Kam për të thënë shumë edhe për komunistët e vërtetë, edhe për ata që u bënë servilë. Kam për të thënë për veten time, për të mirat dhe mëkatet e mia, si një individ kompleks. Por edhe për kohën e sotme kam për të folur jo pak. Edhe kjo kohë ka shumë pehlivanë. Është kohë humori. Në humor unë gjej lirinë. Dikush thotë: “humori është kështjella e fundit e lirisë, është hapi i fundit i tërheqjes. Ta lëshosh këtë kështjellë do të thotë të dorëzohesh. Ta mbash, do të thotë të kalosh në ofensivë”.

Prandaj për mua është i shtrenjtë humori…

 

SHKARKO APP