Historia e KJ/Armand Shkullaku: Skandali që tronditi një shtet
(Botuar me 19 Janar 1995 në KOHA JONE)
Nga Armand Shkullaku-
Ngjarje misterioze që implikon shtetin shqiptar
Një nga ngjarjet më të bujshme në periudhën postkomuniste mbetet padyshim ai që u regjistrua me emrin “Skandali Arsidi”. Duke marrë emër nga francezi Nicolas Arsidi, protagonist i kësaj ngjarje, ky skandal i madh financiaro-politik u publikua për herë të parë më 6 Shkurt 1993, si kryeartikull I gazetës “Koha Jonë”. Natyrisht që në atë periudhë lëvizja e koordinuar që e privoi bankën tonë nga 1.6 milionë dollarë kishte marrë fund. Por dalja në sipërfaqe e këtij aksioni financiar u pasua nga arrestime të shumta. Pak ditë përpara publikimit të ngjarjes në fjalë, dy bankierët Saliu e Tartari ndodheshin në gjendje arresti. Pak kohë pas tyre u arrestua edhe Kryeministri i Qeverisë Teknike Vilson Ahmeti dhe më vonë përfunduan në arrest Ilir Hoti e Adrian Xhyheri. Aktualisht këta të pestë ndodhen sot në bankën e të akuzuarve në gjyqin që ka filluar më 30 dhjetor 1994. Hetime të shumta të zhvilluara nga organi i Prokurorisë fajësojnë të pestë të pandehurit. Ndërsa trupi gjykues përveç gjetjes së fajtorit duhet të hedhë dritë mbi atë që u intereson sot të gjithëve: ku kanë përfunduar milionat e shtetit shqiptar. Në këtë proces ndodhen të akuzuar pesë funksionarë të administratës shqiptare, implikohen emra të personaliteteve politikë të niveleve më të larta, po dëshmojnë ish-qeveritarë e deputetë të Kuvendit Popullor. Të gjitha këto kanë rritur interesimin e njerëzve për gjyqin që po zhvillohet këto ditë mbi një çështje që shtrihet në kufijtë kohorë të rreth 3 vjetëve. Duke u nisur nga ky interesim ne menduam të botojmë në këtë numër disa materiale, ndoshta të harruara, që ka të bëjnë me këtë ngjarje.
Nën këtë titull u bë publik për herë të parë skandali i lidhur me Arsidin dhe borxhin e jashtëm shqiptar. Sipas të dhënave fillestare në atë kohë, shifra e shpërblimit për francezin rezultonte 1.2 milionë dollarë. Vetëm një numër më pas, më 10 shkurt u botua shifra e saktë. Ndër të tjera në këtë artikull të së shtunës së 6 shkurtit 1993 në “Koha Jonë” thuhet: “Para disa ditësh në Tiranë arrestohen Drejtori i Bankës Tregtare, z. Agron Saliu dhe nëndrejtori z. Agim Tartari. Nënguvernatori i Bankës Kombëtare z. Kristaq Luniku thotë se ai vetë nuk di ndonjë gjë të veçantë rreth arrestimit, por Guvernatori z. Ilir Hoti duhet të ketë dijeni të plotë pasi është marrë vetë me këtë problem. Z. Luniku shton se denoncimi për dy të arrestuarit është bërë nga Banka Kombëtare. Problemi në fjalë tani I ka kaluar hetuesisë. Çështja i është besuar z. B. Kokoshi hetues edhe për çështjen e N. Hoxhës, kryetar i hetuesisë së rrethit Tiranë dhe zëvendësprokuror i rrethit Tiranë. Me saktësi dihet vetëm që denoncimi është bërë nga Banka Kombëtare. Sipas burimeve tona jo zyrtare, të arrestuarit Saliu dhe Tartari kanë firmosur një çek ku i kalohen 1200000 dollarë dy qytetarëve francezë të cilët do të interesoheshin për zhbllokimin e borxhit tonë të jashtëm. Mirëpo ekziston edhe një shkresë e firmosur nga Guvernatori i Bankës Kombëtare z. I. Hoti në vitin 1991 ku jepet e drejta ekskluzive një personi të huaj të merret me borxhin tonë të jashtëm. Ky person është një farë Nicolas Arsidi! Në vitin 1991 me ndërmjetësinë e Bankës Evropiane, Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Nënkryeministrit të asaj kohe kishte emëruar si ndërmjetës për borxhin shqiptar Xhuliano Amato, ish-Ministër i Financave të Italisë, deputet dhe professor i së drejtës konstitucionale në Universitetin Ljuis të Romës. Ndërkohë Qeveria Teknike e Vilson Ahmetit emëron një tjetër ndërmjetës për borxhin shqiptar duke zhvleftësuar emërimin e Amatos. Si shpjegohet fakti që në vend të personalitetit të konfirmuar të Amatos të emërohen persona krejt të panjohur që vërtiteshin nëpër zyrat e qeverisë dhe kërkonin të merrnin me qira apo të blinin ndonjë hotel (mbase edhe 15katëshin) në Tiranë?
Sipas të gjitha fakteve, lidhjeve e burimeve tona, dy francezët e lartpërmendur janë po ata që i dhanë Presidentit Berisha medaljen e kortezisë. Pra bëhet fjalë për z.Nicolas Arsidi (të autorizuarin e z.Hoti) e Laurent Simoni…
Të bën përshtypje fakti se në një ceremoni ku merrnin pjesë edhe kryetari i Parlamentit Arbnori, Kryeministri Meksi, zotërinjtë Godo, Gjinushi e të tjerë, dy francezët japin një medalje që sipas burimeve zyrtare nuk është institucionale e shteti francez nuk ka të bëjë fare. Ku janë sot 1.2 milionë dollarë? Cilat qenë arsyet që Berisha pranoi dekorimin e panjohur, përse V. Ahmeti emëroi dikë tjetër dhe nuk pranoi Amaton si ndërmjetës, dy francezët që erdhën në Shqipëri a blenë diçka, në rast se po, çfarë, e në rast se jo, a I kanë dhënë para ndokujt?
Prononcohet ish-Kryeministri Ahmeti
“Në mandatin tim nuk përmendet ndonjë shifër shpërblimi…
Kjo mund të jetë bërë me ndonjë marrëveshje tjetër”.
-Vetëm një javë pas artikullit të “KJ” të shtunën e 13 shkurtit 1993, ish-Kryeministri Vilson Ahmeti, aktualisht në bankën e të akuzuarve jep një intervistë të shkurtër në lidhje me implikimin e tij në skandalin Arsidi. Këtë intervistë po e japim më poshtë:
-Vilson Ahmeti ishte njëri prej kryeministrave shqiptarë që u ndodh para borxheve të mëdha të shpallura. E pyetëm zotin Vilson Ahmeti se si lidhen ato borxhe me skandalin për të cilin flasim, dhe ai u përgjigj: Zhvillimet e ekonomisë shqiptare dhe sidomos investimet e huaja po hasin sot në një pengesë serioze, atë të borxhit të jashtëm të vendit, i cili shprehet konkretisht në borxhet (pagesat e pakryera) të Bankës sonë ndaj bankave të Evropës për llogari të firmave dhe shoqërive të huaja. Për këtë është vlerësuar si një detyrë e rëndësishme zgjidhja nëpërmjet mbulimeve ose blerjeve të borxhit tonë nga organizma financiare, banka të ndryshme ose firma të mëdha. Në këtë kuadër është bashkëpunuar me shqetësim të natyrshëm me intermediatorë të ndryshëm për trajtimin e këtyre borxheve. Pikërisht, bazuar në këtë shqetësim është trajtuar edhe mandate dhënë francezit N. Arsidi.
KJ: Kush ja ka dhënë mandatin z. Arsidi?
V. Ahmeti: Drejtoria e Përgjithshme e Bankës së Shtetit me një mandat të posaçëm ka caktuar z. Arsidin duke i besuar të drejtën ekskluzive për të trajtuar borxhin e jashtëm. Kjo është bërë më 1 Nëntor 1991. Me kërkesën e Drejtorisë së Përgjithshme të Bankës së Shtetit, unë si Kryeministër nëpërmjet një mandati vërtetova marrjen në dijeni për mandatin e mësipërm.
KJ: Cila ishte shifra që caktuat ju si honorar për të shpërblyer z. Arsidin?
V. Ahmeti: Në mandatin që kam dhënë unë nuk përmendet ndonjë shifër konkrete shpërblimi për qytetarin francez. Kjo mund të jetë bërë me një marrëveshje tjetër.
Sikurse shihet nga kjo bisedë e shkurtër aktet formale dhe parimore janë shoqëruar me një praktikë të hollësishme veprimesh, shkresash dhe dollarësh. Pra mbas miratimit parimor, për trajtimin e borxhit midis Bankës së Shtetit Shqiptar dhe francezit N. Arsidi është bërë një akord ose marrëveshje e veçantë ku është përcaktuar vlefta e honorarit dhe mënyra e marrjes së tij. Ku është kjo marrëveshje?
Sqarim i Presidencës për medaljen e Arsidit
“Ka pasur pakujdesi edhe nga ana e protokollit të Presidencës”
I përfolur jo pak në çështjen Arsidi, për shkak të medaljes së kortezisë, Presidenti Berisha bëri një sqarim publik në TV e në shtyp. Presidenti u kujtua ta bëjë një gjë të tillë më 10 shkurt, vetëm pasi skandalin e morën vesh të gjithë. Kur e lexon tani atë sqarim ndjen se vërtet Presidenti Shqiptar e ka ndjerë veten ngushtë… Në sqarimin e Presidencës thuhet: “ I ngarkuari për të sjellë këtë medalje, nuk është ngarkuar nga Presidenca as nga protokolli I saj, por është dërguar nga komiteti i kësaj medalje dhe padyshim ka qenë një zgjidhje e gabuar. Po kështu pakujdesi ka patur edhe nga ana e protokollit të Presidencës, i cili faktin se ky person i ka dorëzuar medaljen ish-Presidentit të Italisë, Sandro Pertini dhe dokumente të tjera, I ka quajtur të mjaftueshme. Së fundi, për të gjitha këto si dhe për pjesëmarrësit në ditën e ceremonisë së dorëzimit të medaljes. Protokolli disponon të gjitha dokumentet. Kështu që të gjitha dizinformimet dhe insinuatat janë të padenja për ata që i sajojnë”.
“KJ”, 13 Shkurt 1993
Arrestohet ish-Kryeministri Vilson Ahmeti
Katër ditë më pas, pra të enjten e shkurtit 93 një tjetër ngjarje e lidhur me skandalin Arsidi. Merret si i pandehur Vilson Ahmeti. Në gazetën “KJ” të së shtunës thuhet: Bëhet e ditur se ditën e enjte, rreth orës 14.30, Prokurori Shkëlqim Kokona dhe hetuesi Beqir Kokoshi vendosën të marrin si të pandehur Kryeministrin e Qeverisë Teknike zotin Vilson Ahmeti. Sipas burimeve hetuesi dhe prokurori shoqëroheshin nga 10 policë, të cilët bënë kontroll në shtëpinë e z. Ahmeti. Siç dihet hetuesi Kokoshi është ngarkuar me hetimin e çështjes së 1 milion e 600 mijë dollarëve që lidhen me borxhin e jashtëm shqiptar. Qenia e z. Ahmetit si Kryeministër përkon me caktimin e francezit Arsidi si ndërmjetës për borxhin e jashtëm. Le të presim se çfarë do të dalë pas ndalimit të z. Vilson Ahmeti. U kujtojmë lexuesve se pas arrestimit të Agron Saliut dhe Agim Tartarit (drejtori dhe nëndrejtori i Bankës Tregtare) ky është arresti i tretë që lidhet me skandalin e 1.600.000 dollarëve.
“KJ”, 20 Shkurt 1993
Borxhi i jashtëm dhe problemi ynë
Gramoz Pashko analizon fenomenin e borxhit të jashtëm të Shqipërisë
Në një artikull të detajuar, dr. Gramoz Pashko, analizon shkaqet dhe fenomenet në lidhje me borxhin e jashtëm. Ai ndër të tjera thekson se Shqipëria filloi të hyjë në rrugën e borxheve nga viti 1988, por zgjodhi rrugën më të gabuar, atë të spekulimit. Në vitin 1990 dhe në fillim të 1991 operacionet e kambizmit u bënë të ekzagjeruara. Më poshtë po botojmë kreditorët deri në fundin e shtatorit të 1991:
Italia 74.124 milionë USD. Gjermania 66.852 milionë USD. Zvicër 35.056 milionë USD. Belgjikë 20.231 milionë USD. Austri 37.626 milionë USD. Francë 30.389 milionë USD. Angli 4.618 milionë USD. Greqi 3.294 milionë USD. Shuma totale e këtij borxhi në vitin 1991 arriti 272.189 milionë dollarë dhe këtij i duhen shtuar edhe 142.400 milionë të tjerë në formën e kredive tregtare të papaguara apo të linjave të financimit. Në fund të 1991, borxhi i përgjithshëm ishte rreth 420 milionë dollarë. Shqipëria e ka këtë borxh ndaj rreth 90 Bankave më të mëdha të botës dhe duhej të paguante rreth 50 milionë dollarë interesa në vit.
“KJ”, 17 Shkurt 1993
Arsidi, mashtrues apo viktimë e shqiptarëve
Ndoshta emri i francezit nuk do të ishte bërë i njohur fare dhe ndoshta ne nuk do të na kishin fluturuar 1.6 milion dollarë nëse dikujt nuk do t’i kishte shkuar ndërmend t’i kujtonte Arsidit se ka një vend si Shqipëria ku mund të fitohen lehtësisht para. Sipas një dëshmie gjatë procesit gjyqësor rezultoi se Arsidi ka ardhur në Shqipëri për herë të parë rreth viteve 86-87 për një kontratë çimentoje. Në ato kushte të socializmit shqiptar një tregtar I huaj e kishte të pamundur penetrimin në Shqipëri. Tre vjet më vonë dosja e Arsidit vjen në Tiranë dhe më pas ai pajiset me një mandate në cilësinë e këshilltarit për tregtinë ndërkombëtare për Shqipërinë. Deri në vitin 81 thuhet se Arsidi ka qenë edhe këshilltar tregtar me jashtë i Francës. Por mbase të gjitha këto kanë pak rëndësi. Arsidi duhet të ketë ardhur me mendimin e shumë biznesmenëve të tjerë, thjesht për të fituar para në një vend ku mbretëronte kaosi dhe mungesa e ligjeve. Ai kishte shansin se ishte ndër të parët. Duke vepruar me zgjuarsi, sipas një përvoje të njohur, Arsidi i vuri qëllim vetes penetrimin në nivelet e larta të Shtetit Shqiptar. Njohje me ministra, afaristë, pushtetarë e deri te prezantimi me anë të një medalje te Presidenti i Republikës. Të gjitha këto ai i kreu lehtësisht duke pasur pikësynim të tij një përfitim të mundshëm. Këtu nuk dihet nëse ka propozuar ai apo I kanë propozuar dy variante: honorarë për negocimin e borxhit të jashtëm ose 50 për qind të pronësisë së Hotel Tiranës. Kjo e fundit siç dihet nuk u realizua. Pra gjithçka lidhet me variantin e parë. 1.6 milionë dollarë fluturuan si honorar në favor të Nicolas Arsidit. Kjo mendohet të jetë bërë nëpërmjet një kanibali të skontuar në dy pjesë nga Banka Tregtare. E rëndësishme në gjithë këtë histori është fakti se përse Arsidi mendoi të vepronte pikërisht në sferën e borxhit të jashtëm, ku siç dihet nuk u arrit asnjë rezultat. Koha që u zgjodh koincidoi me emërimin e Amatos, i cili më 13 dhjetor 1991, kur firmoseshin mandatet për Arsidin, i dërgonte letrën e mëposhtme Gramoz Pashkos:
I dashur zoti nënkryeministër. Kam marrë vendimin tuaj për emërimin tim dhe dua t’I shpreh Qeverisë Shqiptare, Partisë Demokratike dhe juve personalisht mirënjohjen time. Do të punoj me impenjimin tim më të lartë, me bindjen se është e mundur që Shqipëria të hyjë në një cikël zhvillimi më se të mjaftueshëm për të kapërcyër krizën e borxhit. Me përshëndetjet më të mira Xhuliano Amato.
Arsidi u fut si një negociator i sforcuar në këtë çështje. Futja e tij lidhet konkretisht me emrat e Hotit dhe Ahmetit. Ndërsa pagesa e tij lidhet me emrat e Tartarit dhe Saliut. Për sa i përket gjithë aktivitetit të Arsidit në Shqipëri, do të duhej një listë e gjatë emrash të rëndësishëm. A do të kishte dalë në dritë kjo histori sikur të mos ishte bërë denoncimi nga Banka Shqiptare, që çoi në arrestimin e Tartarit e Saliut. Gjithsesi sipas dëshmisë së Hotit ai ka bërë denoncim për Arsidin nga fundi i tetorit 1992 pranë organeve franceze. Denoncimi për bankierët shqiptarë del kështu të jetë bërë më vonë. Gjatë seancave të këtij gjyqi që po zhvillohet këto ditë është vënë re se ka një armiqësi të heshtur midis dysheve Hoti-Xhyheri dhe Saliu-Tartari. Përse ndodh një gjë e tillë? A ka patur bashkëpunim më parë midis tyre në këtë çështje, dhe në rast se po kush e shkeli “besën”. Duke i lënë hollësitë për numrat e ardhshëm, duhet thënë gjithsesi se pavarësisht nga rezultatet e këtij gjyqi, të krijohet përshtypja se “lojën Arsidi” e kanë projektuar të tjerë. Zbatuesit kanë lënë gjurmët e punës së tyre, duke shpresuar se dikush do t’i mbulonte. Ashtu siç e kemi thënë edhe më lart ky gjyq do të shënohej në librin e drejtësisë shqiptare, në rast se do të zbulonte se ku kanë vajtur 1.6 milionë dollarë. Nga Franca, sipas disa burimeve publike rezulton, se nga shuma në fjalë Arsidi nuk ka përfituar. Kjo mbase ka qenë arsyeja e revoltimit të francezit dhe e ngulmimit të tij për Hotel Tiranën si një kompensim të asaj që s’mori. Pra ekzistojnë dy mundësi: Arsidi mund të jetë mashtrues por edhe viktimë e shqiptarëve. Dhe për të përfunduar është me vend të perifrazojmë atë çka tha Ruli në fund të dëshmisë së tij në këtë proces. Në rast se Arsidi nuk i ka marrë ato para do të ruaj atë mendim që kam patur për një njeri me karrierë dhe biografi të pasur, në rast se vërtetohet e kundërta do të kem atë mendim si të gjithë shqiptarët ndaj dikujt që i ka vjedhur 1.6 milionë dollarë shtetit të tyre.
Armand Shkullaku