Historia e Koha Jone/Kiço Blushi: Shqipëria duhet ta ngjallë Faik Konicën, jo të luani me eshtrat e tij
(Botuar me 5 Maj 1995 në KOHA JONE)
Nga Kiço Blushi-
Ndër turinjtë më të dendur të Shqipërisë, duhet vënë re ai që është gati “të vdesë për kombin”
Për hir të së vërtetës duhet thënë se shumica e shqiptarëve nuk e dinë pse është kaq i madh Konica dhe pse po i bëhen gjithë këto ndere, sepse vepra e tij si e shumë intelektualëve të mohuar, ende nuk njihet. Dihet vetëm se ai ishte njeri i kulturës, atdhetar dhe se ai e paska lënë amanet që të varroset në Shqipëri. Diktatura nuk e plotësoi këtë amanet, sepse nuk e kishte në sy të mirë, ndërsa qeveria e sotme demokratike, si shumë mrekulli të tjera, realizoi edhe këtë ëndërr, kësisoj propaganda do të valojë e ligjërojë këto ditë duke na ritreguar personalitete të larta të politikës shqiptare të mallëngjyer e tejet të prekur para arkivolit me flamur kombëtar të Konicës. Fjalime, përurime, takime, mallkime, përbetime nacionaliste, ligjërata, profesorë të porsakunguar e atdhetarë të flaktë, ndonëse ca si të vonuar Levantinë “ekspertë dhe berberë” të politikës shqiptare, do të rrëfejnë me një protokoll strikt para popullit shqiptar një përkushtim “të paparë” patriotik dhe politik. Të gjitha këto do të bëhen mbi eshtrat e Faik Konicës. Sarkazmës së tij do t’i shpëtojnë kameleonët, sepse të vdekurit nuk flasin, ata vetëm mund të varrosen e zhvarrosen sipas qejfeve e nepseve të politikës ditore. Konica, pra do të jetë më në fund në Atdhe, emri i tij do të lakohet, ndërsa shpirti i tij i trazuar e i papajtueshëm do të ndjejë neveri nga hiprokrizia politike, nga përdhosja intelektuale e morale e levantinëve të pandreqshëm shqiptarë, që s’kanë as guximin më të vogël kur bëhet e ç’bëhet Akademia, apo kur krijohen lista pensionesh e peticionesh në shërbim të Salep-Sulltanit. Sepse ata që po e sjellin Konicën sot në Shqipëri po sjellin vërtet eshtrat e tij, por kurrsesi frymën dhe shpirtin e tij. Kryqtari i vetmua do të rrethohet nga jo pak “turinj”që janë gati “të vdesin për kombin”. Sepse Faik Konica nderohet sot më shumë se për vlerat e tij të padiskutueshme, për të fituar ca berberë të rinj kapital politik, ashtu siç “fituan” ata që sollën eshtrat e Naim Frashërit në kohën e Zogut. Sepse Faik Konica po të ishte sot gjallë e të bënte ndonjë vërejtje për Presidentin (siç pat bërë për Mbretin Zog) për Rugovën, për Meksin apo edhe për Çelën, do të ish shpallur armik i betuar jo vetëm i reformës dhe i qeverisë demokratike, por i mbarë çështjes kombëtare. Dhe me siguri nuk do ta fusnin as në listën e profesorëve, akademikëve të rinj demokratikas, por as në listën e “intelektualëve të shquar”. As në forumin e intelektualëve të pavarur s’do ta qasnin. As Komiteti i Helsinkit dhe as Lidhja e Shkrimtarëve s’do ta bëzanin po ta rrasnin ca ditë në hapsanë. Në Shqipëri duhet të vdesësh e mundësisht larg Atdheut që të të duan e të nderojnë. Po qe këtu, vetëm servilizmi dhe mungesa e dinjitetit mund të të lartësojë. Po të jetonte këtu e të shkruante sot p.sh. për Turqinë, siç ka shkruar gati një shekull më parë, do të ngriheshin myslimanët dhe ithtarët e idesë se shqiptarizmin e ka shpëtuar myslimanizmi dhe “populli vëlla turk”e do ta bënin lanet. Po të sulmonte Greqinë, sic e ka sulmuar, do ta bënte rezil “politika prej berberësh” e gazetave zyrtare, sepse pseudointelektuali Konicë kërkon të na prishë me qëllim urën e mirëkuptimit që më në fund u vu mes dy “popujve miq”. Po sikur t’i shkrepte të shante SHBA, do ta emëronin dot vallë ambasador? Sa për shkrimet kundër “heretike” kundër Naim Frashërit, Ismail Qemalit, Fan Nolit e patriotëve të tjerë, po t’i shkruante e botonte sot, Faik Konica do të mallkohej me rrënjë e me degë si antikombëtar i përbetuar pikërisht nga ata patriotë e bashkëkombës që sot po i sjellin eshtrat në Atdhe. Le më pastaj po të guxonte të bënte vërejtje për cilësitë e vetitë defektuoze të shqiptarit, siç ka bërë, Konica me siguri do të kishte përfunduar aq keq sa askush nuk e mendon dot duke e quajtur së paku agjent të sllavo-komunizmit a të dreqi e di çfarë agjenture tjetër. Dhe gjithsesi, do të kish ikur nga Shqipëria… Si një intelektual i klasit të parë i tipit të sotëm evropian tepër i kapërcyer për kohën e vet, por edhe për kohën tonë tejet të lumtur. Konica është padyshim modeli më i përkryer i mendjes së çliruar e liberal që s’ia kyçte dot gojën askush e që s’pyet se ç’do të thonë qarqet zyrtare të levantinëve shqiptarë, qofshin këta edhe të rangjeve të larta. Për të vërtetat e të pavërtetat e hidhura që Faik Konica tha në publicistikën shqiptare, ai s’mund të ish i pëlqyer nga propaganda komuniste dhe nga zanatçinjtë e letrave shqipe, pasi ai i thyente të gjitha klishetë anadollake e dogmën e vendosur nga ideologjia sunduese; por duket se është pikërisht kjo vlerë që po zhvlerësohet sot: ai po vjen në Atdhe si princ i letrave shqipe, pa e ditur kush dhe pse po e varros në tokën mëmë. Pelegrinët politikë “e nderojnë”meqë i ishte mohuar kthimi nga komunizmi dhe jo sepse bota shqiptare më shumë se kurrë, sot ka nevojë për frymën, modelin dhe shpirtin e tij kritik, të papajtueshëm, analitik dhe pse jo edhe cinik. Ndaj Faik Konicën po e sjellin në Atdhe intolerantët, fanatikët e verbër partiakë, servilët, karrieristët, pikërisht ata që vrasin me fjalën e shkruar shqipe dhe me fjalën e thënë pas kulisave shtetërore mendimin e lirë, mendimin ndryshe, mendjen që ende nuk ka frikë nga prita e mercenarëve, nga kurthet e bajraktarizmit, nga pabesia e injorantëve, nga “ekspertët”e kudondodhur shqiptarë që bëjnë përpara e ngrihen lart e më lart pikërisht ngaqë kryejnë shërbime të tilla neveritëse. Janë ata që e kanë përdhosur kuptimin e fjalës intelektual. Këto pra nuk mund ta mendojnë, le më ta pranojnë se para se të sillnin eshtrat e Konicës në Shqipëri, duhej të kishin ngjallur në Shqipëri shpirtin e tij, sepse fryma e Konicës nuk është as në ligjëratat, as në librat e bërë për të e mbi të, as në vlerësimet politike, të krerëve partiakë e shtetërorë, por te respekti dhe nderimi që duhet bërë e patur për atë që mendon ndryshe në jetën e përditshme, në jetën publike e sidomos atë intelektuale. Ky respekt e ky nderim, fatkeqësisht mungon e nuk po mbillet në Shqipëri. Ky mallkim vetëvrasës nuk po shkulet prej nesh. Ndaj si qytetar i këtij vendi, kam të drejtë të besoj se disa nga ata që përbetohen sot për Konicën, realisht e praktikisht janë kundër tij, sepse po të ish gjallë, me siguri do ta kishin anatemuar, sepse citimet dhe lavdet me e pa vend nuk janë nder për të, kur nuk mbillet shëmbëlltyra e tij. Sepse zorzopët, e shtypit e të politikës shqiptare, me veprimet, shkrimet, fjalimet, ligjëratat, esetë e tyre vazhdojnë të zbatojnë politikën e eliminimeve, atë politikë që eliminoi për 50 vjet edhe vetë Faik Konicën. Sepse afërmendsh Faik Konica nuk mund të gjallojë sot në Shqipëri, vec i vdekur. I gjallë ai do të hapte më shumë punë se sa shumica e partive të opozitës. Fjalët që thotë Faiku për Prometeun e Eskilin, janë edhe për të dhe për cdo njeri të letrave: (Prometeu)… “duket sikur përqesh me hidhërim dhe stigmatizon përjetë ndonjë njeri të pasuruar nga lufta ose ndonjë selapçi-mbret që rrëmben fuqinë në rrëmujë e sipër, edhe si i dehur nga triumfi i papritur, vërtit kërbaçin dhe kërkon gjak. Se natyra e njeriut nuk ndërron; dhe një poet i madh që zbulon të vërtetat e kohës së vet, zbulon të vërtetat e gjithë kohëve të pastajme”. Ne duhet të ngjallim Konicën duke zbuluar e pranuar në jetën tonë të përditshme, – publike e politike – ato të vërteta që na ka dërguar pena e tij për “kohën e pastajme”. Pra edhe për kohën tonë që vazhdon të na duket sikur nuk është e jona. Dhe as e Faik Konicës.
Eshtrat e Faik Konicës pranë vëllezërve Frashëri
Në Qendrën Kombëtare të Kulturës qindra shqiptarë bënë dje homazhe pranë eshtrave të Faik Konicës. Në vargun e gjatë të homazheve u rreshtuan nxënës, shkrimtarë, intelektualë, politikanë, qeveritarë, bashkë me ta edhe Berisha e Rugova. Rreth orës 11.00 vargu i gjatë shoqëroi eshtrat e Konicës në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, dhe më pas në kodrat e Liqenit Artificial për të qëndruar përjetësisht pranë vëllezërve Frashëri. Në ceremoninë e varrimit Presidenti Berisha e quajti Konicën, gjeni të botës shqiptare: “Faik Konica ishte ai që më saktë, më qartë e më haptas u tregoi shqiptarëve të vërtetën, për shpirtin, virtytet, pasionet, veset, prirjet dhe dhuntinë e tyre. Pikërisht këtu qëndron një nga vlerat më madhore të testamentit të tij, që i bën shqiptarët të duan, të vlerësojnë, të çmojnë më shumë njëri tjetrin dhe që i mëson ata të përdorin jetën e realitetit për të ndërtuar të ardhmen e tyre”. Edhe Ibrahim Rugova e përshëndeti shqiptarin e madh në emër të popullit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare. “Zoti e bekoftë dhe qoftë i lehtë dheu i Atdheut, Shqipërisë, kopsht i Evropës Jugore, siç e quante ai”, – tha z. Rugova. Më pas arkivolin me eshtrat e Faik Konicës nën breshërinë e armëve u varros pranë Memorialit të Vëllezërve Frashëri në Kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës.
Kiço Blushi