Historia/Gramoz Pashko: Do të doja që Berisha të mos kish ndryshuar nga ai që kam njohur unë
(Botuar me 7 Janar 1994 në KOHA JONE)
-Intervistë me Dr. Gramoz Pashko-
Ju jeni një nga figurat më në zë të politikës shqiptare. Pas largimit nga PD, çfarë ju shtyu të futeni në Partinë Aleanca Demokratike?
Së pari, për hir të së vërtetës desha të korrigjoj sensin e pyetjes suaj, gabim tek i cili bien shumë vetë. Nuk është se unë u largova nga PD dhe gjeta strehë tek Aleanca. Unë nuk u largova nga PD por u përjashtova prej saj. Largimi dhe përjashtimi janë dy momente krejt të ndryshme për të shpjeguar zhvillimin e mëtejshëm të sensit të gjërave, për të kuptuar atashimin tim diku, kompromiset e mundshme, aleancat e mundshme. E kam thënë dhe herë tjetër, unë u përjashtova rrugaçërisht. Por njëkohësisht përjashtimi ishte një mësim i madh, ishte çështje jetë a vdekjeje, dhe jo thjesht jetë apo vdekje politike por edhe morale. Partia e themeluar nga unë, ishte shndërruar në një Sfinks. Shokët e parë, po ku ndodheshin ata? Miqtë, po ku avulluan ata? Partia, sfinksi, në një udhëtim diku drejt Azisë, gëlonte, fërkonte duart dhe jepte mesazhin, dëbojeni qenin; shkatërrojani familjen, lemerisini fëmijët, provokojini të qërohet nga Shqipëria! Përjashtohesha, fyhesha, përbaltesha, dhunohesha, dhe nga kush? E pra, të kuptosh këtë, mund të kuptosh përse unë qëndroj në politikë. Më pas u përjashtuan edhe shokët e mi, me të cilët kishim themeluar pak kohë më parë PD. Sfinksi nuk ngopej. Ai kish vendosur të zhdukte jo vetëm vetë personat por edhe çdo gjurmë të asaj që do t’i kujtonte Dhjetorin, shpirtin e Zogajt, sakrificat e Imamit, stërmundin e Demetit e kështu me radhë. Një ekspozitë fotografike e përuruar në dhjetor 1992 kishte të rreshtuara tërë fytyrat tona nga klishetë që evokonin ngjarjet e Dhjetorit. Sfinksi kish dashur të na shndërronte në pezhishka. Ndërsa ne mund të shpëtonim vetëm duke qenë përsëri bashkë, ne duhet të mbijetonim duke qenë përsëri si grup. Pra edhe grupimi i ri duhej të ishte një parti, një aleancë që të na mbronte nga hienat e PD. Po i kujtoj këto për të shpjeguar se ç’na shtyu të formonim Aleancën.
Në Konferencën e Jashtëzakonshme të PD, ju keni deklaruar se do të mbeteni gozhdë në politikën shqiptare. A është ndryshkur gozhda e Gramoz Pashkos?
Figura e gozhdës së ngulur, ka qenë për të treguar bindjen time se politika shqiptare kishte nevojë për personin tim. Dhe ende nuk më duket vetja i tepërt. Unë mendoj se akoma i vlej politikës shqiptare, jo si fantazmë por si një person aktiv. Dashur pa dashur në politikë nuk hyhet veçse për emër por për të realizuar një ide. Edhe nëse shumë gjëra kanë ecur në krahasim me periudhën para dhjetorit 1991, përsëri shumë prej tyre kanë ecur shtrembër, shumë prej tyre nuk janë iniciuar fare, dhe akoma më keq shumë gjëra të së djeshmes jetojnë sot dhe janë gjalluar. Shumë ndër këto defekte janë të konstatueshme, madje për disa syresh ne e dimë edhe se si riparohen. Atëherë kemi detyrë t’i themi, t’i përsërisim, e t’i përsërisim, pikërisht që këtu buron edhe shpresa jonë, pritja jonë. Në rast se pushtetarët e sotëm na dëgjojnë, atëherë shumë mirë, le të bëjnë ata riparimet e defekteve. Në rast se nuk na dëgjojnë defekti është i tyre. Edhe pse nuk duket fort komode, ne pranojmë të rrimë si observatorë, të vëzhgojmë, të gjejmë zgjidhjet e gabimeve të pushtetit të sotëm, t’i përvishemi punës që nesër t’i riparojmë ne. Pra ja pse ne duhet të qëndrojmë të ngulur në murin e politikës shqiptare.
Çfarë mendoni sot, kur kanë kaluar 3 vjet nga dhjetori 90? Ku është Shqipëria pas tre vjet ndryshimesh?
Piktura që do të duhej të bënte peizazhin është tepër multiformë, është paradoksale. Shqipëria, sot është një vend i hapur, shumë pranë Europës, por njëkohësisht edhe shumë larg asaj. Shqiptarët kanë të hapur pjesën e tyre të kufirit, por kanë të mbyllur anën matanë. Shqipëria, ka një ekonomi tregu, një ekonomi të nismës së lirë, po ku administrata fut hundët gjithnjë e më shumë për të penguar punë. Shqipëria është vendi i njerëzve të lirë, po ku ekziston ligji që po të shash Presidentin apo ndonjë Ministër rrezikon 5 vjet burg. Mund të përmendja shumë paradokse të tilla, për ta përmbledhur do të thosha se pas 3 vjetësh shqiptarët kanë në dorë lirinë dhe s’dinë ç’të bëjnë me të.
PD dhe RD shpesh kanë deklaruar se deputetët e Aleancës janë pa elektorat, pasi u zgjodhën në Parlament si kandidat të PD. A e keni humbur ju personalisht elektoratin tuaj?
Siç deklaron PD apo RD mund të deklaroj edhe unë: nuk i mora unë votat PD, por PD-ja mori vota prej meje. Në rast se nuk i bind kjo deklaratë, le të bëjnë një provë, të futemi përsëri në zgjedhje dhe të shohim se kush i merr votat. Për sa i përket zonës sime, nga kontaktet që kam, kam përshtypjen se PD e ka humbur totalisht elektoratin e saj në atë zonë, ndërsa unë e kam konsoliduar. Votuesit e zonës sime e bënë një herë një test, në Qershor të 1991 kur PD më përjashtoi nga grupi i saj parlamentar.
Kush është sipas jush defekti më i madh në qeverisjen e sotme të PD?
Mentaliteti i vjetër komunist si metodologji. Të gjitha të tjerat janë pasojë jo shkaqe. PD, duke e parë botën bardh e zi identifikon vetveten me demokracinë, ndërsa liderëve të saj u vetëjep monopolin e demokratit. Për ta shenjtëruar këtë koncept ajo përdor pushtetin që ka. Privimi i të drejtave të ndryshme rrjedh nga ky shkak. Intoleranca, polarizimi i jetës, janë pjella të këtij mentaliteti. Pikërisht që këtu rrjedh që PD nuk drejton dot në mënyrë besnike, nuk bën reformën ekonomike siç duhet, nuk është mikpritëse ndaj investitorëve etj.
Ju më mirë se kushdo e dini se ç’do të thotë akuzë për korrupsion. A mund ta akuzoni shtetin e sotëm për një gjë të tillë?
Akuza ndaj meje u ndërtua veçse si një thashethemnajë. Imagjinoni ç’do të kish ndodhur sikur zotërinjtë e PD të kishin provuar ndonjë send të përvetësuar nga unë? Për sa i përket pyetjes, akuza për korrupsion, rrugaçëria etj., nuk mund të bjerë mbi shtetin, ajo mund të bjerë mbi individë të caktuar. Mund të them se kam dëgjuar e lexuar dhe kam edhe disa fakte që provojnë korrupsion të tejmasshëm. Por di që faktet që njoh unë i dinë edhe të tjerë. Unë nuk kam ndërmend të akuzoj kënd, sepse jam i sigurt se fakte të shumta për korrupsion do të përdoren herët ose vonë në gjirin e PD si larje hesapesh. Sado makiavelik të duket, unë jam i detyruar të rri e observoj se si arkitektët e përbindëshit të korrupsionit ndaj meje do të bluhen vetë nga ingranazhet e makinës.
Në rolin e një vëzhguesi të qetë dhe duke pasur parasysh se keni qenë bashkëpunëtori më i afërt i Berishës gjatë viteve 90-91, a mendoni se ai ka ndryshuar që nga ajo kohë?
Lidhjet e afërta me Berishën janë ndërprerë prej shumë kohësh. Unë tani jam thjesht një observatori i veprimeve të tij që nga ekrani i televizionit apo zëri i radios. Megjithatë unë kam qenë gjithnjë një studiues i kujdesshëm e i apasionuar i psikologjisë e i psikanalizës. Analiza e një figure nga radio apo TV është shpeshherë tepër sipërfaqësore, prandaj e kam të pamundur të gjykoj në planin psikologjik nëse Berisha ka ndryshuar apo jo. Mirëpo psikologjia është baza e logjikës. Dhe logjika matet me veprimet që kryen. Në këtë fushë analiza është relativisht më e lehtë. Duke pasur parasysh veprimet që ai ka kryer në këto 2-3 vjet mund të them që personi i tij ka evoluar mjaft. Ai ka arritje por edhe dështime. Në rast se është i vetëdijshëm për arritjet, shumë mirë. Në rast se i ngatërron ato dhe dështimet i quan arritje, ajo do të jetë shumë e dëmshme për të gjithë ne. Në këtë kuptim do të doja që Berisha të mos kish ndryshuar nga ai që kam njohur unë. Së paku, në atë kohë, në mjaft gjëra ai na dëgjonte ne.
A mendoni se në Shqipëri do të zbulohej aq naftë sa të thyhej embargo çdo ditë. A mendoni se vizita e Bullatoviçit hapi rubinetat e naftës për në Malin e Zi?
Për të kthyer embargo s’ka nevojë të kesh vetë naftë, atë edhe mund ta importosh. Për sa i përket faktit se në Shqipëri do të zbulohet naftë sa ne të notojmë në të, jam shumë pesimist. Nuk mund të jap një përgjigje positive për faktin se ka lidhje direkte midis marrëdhënieve, midis Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe thyerjes së embargos.
Si ekonomist dhe si politikan për sa vjet e parashikoni zhvillimin e plotë të Shqipërisë. 1) Po të ecet në ritmet e sotme. 2) Po të ndiqen rrugë të tjera si në ekonomi ashtu edhe në politikë?
Po të ecet me ritmet e sotme Shqipëria do të arrijë në vitin 2000 nivelin e prodhimit të vitit 1989. Për sa i përket rrugëve të tjera do të duhej të diskutohej më parë se për çfarë rrugësh është fjala. Në rast se reforma do ta kalojë fazën e spontanitetit, në rast se Qeveria nuk do të shtyhet nga politika e ditës por do të ndërtojë një strategji të qartë dhe ku forcat politike do të kishin përgjithësisht konsensus, atëherë do të fillonin investimet dhe ritmet do të rriteshin. E rëndësishme do të ishte ajo reformë që do të synonte rritjen e pasurisë së individit dhe jo atë të shtetit. Atëherë shumë shpejt Shqipëria do të mund të dyfishonte ritmet e rritjes dhe do të mund të thoshim se edhe demokracia është konsoliduar.