Historia/Gramoz Ruçi: Informatorët janë të shumtë, por jo të gjithë duhet të ekspozohen
(Botuar me 29 Qershor 1994 në KOHA JONE)
Intervistë me ish-Ministrin e Brendshëm Gramoz Ruçi
Zoti Ruçi, si shef i sigurimit shqiptar për pak kohë, a mund të na thoni në konfidencë: në gazetën “Koha Jonë” a ka bashkëpunëtor të sigurimit?
Së pari dua t’u korrigjoj pyetjen sepse asnjëherë nuk kam qenë shef i sigurimit shqiptar, por Ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë në Qeverinë postkomuniste para zgjedhjeve shumëpartiake, dhe së dyti gjatë kohës dymujore që unë kam qenë Ministër i Punëve të Brendshme, sigurimi i shtetit, de jure dhe de fakto e kishte përfunduar misionin e tij. Ngjarjet e Dhjetorit 90 dhe më pas vendosja e pluralizmit politik bënë që ata punonjës të sigurimit që vazhdonin të punonin të viheshin tërësisht në shërbim të veprimeve që kryente policia për të shkuar në zgjedhjet e 31 marsit pa eksese dhe gjakderdhje. Ndërsa lidhur me atë që kërkuat të dini nëse ka pasur ose jo bashkëpunëtorë të sigurimit në gazetën tuaj, unë mund t’u them se të tillë nuk ka pasur dhe nuk ka në gazetën “Koha Jonë”. Po kështu mund t’ju them me bindje se për vetë emrin që ka dhe problemet që trajton, gazetarët e gazetës “Koha Jonë” janë po aq të përndjekur sa edhe opozita shqiptare në tërësi.
Atëherë le të hyjmë në temën e dosjeve, kaq e përfolur kohët e fundit. A di gjë Gramoz Ruci, ish-Ministri i Brendshëm për këto dosjet e famshme të sigurimit të shtetit?
Sigurisht që di dhe nuk mund të përgjigjem siç u përgjigj një herë Adil Çarçani në një seancë gjyqësore, se nuk mbaj mend që të kem qenë Kryeministër. Unë, Gramoz Ruçi kam qenë Ministër i Brendshëm dhe mbaj mend gjithçka. Por, me këtë fakt nuk duhet spekuluar. Secili prej nesh që ka kryer një funksion qeveritar duhet të ketë respekt për shtetin. Çdo abuzim me këtë është një abuzim antiligjor dhe antishtetëror.
E ndiej që ju dëshironi ta mbyllni bisedën, por edhe unë jam i vendosur ta vazhdoj atë. A i ka parë ndonjëherë me sy dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit Gramoz Ruçi?
Çdo shtet ka informatorët e tij. Prandaj edhe Shqipëria si çdo shtet ka pasur informatorët e tij të cilët nuk janë as një, as 111 dhe as 1111. Unë nuk do ta deklaroj numrin e saktë të bashkëpunëtorëve të sigurimit. Koha e shkurtër në këtë detyrë, vetëm 60 ditë, dhe problematika e gjerë e problemeve nuk i krijuan mundësinë Gramoz Ruçit që të merrej me studimin e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit të asaj kohe. Megjithatë, me aq sa kam parë, me aq sa kam lexuar dhe me aq sa kam pasur mundësi të njihem, mund të them se ato mbeten pronë e Ministrit të Brendshëm që është përfaqësues i shtetit, pra përfaqësues i ligjit e jo të Gramoz Ruçit.
Pra, ju nuk pranoni të prononcoheni për shtypin se çfarë kanë brenda ato dosje misterioze?
Këtu nuk është fjala se do apo nuk do Gramoz Ruçi. Kjo çështje është kompetencë e Parlamentit dhe në rast se ai një ditë do të ketë nevojë për kontributin tim, le ta bëjë ligjin, le të më përfshijë edhe mua në atë komision dhe unë atëherë në mbështetje të ligjit që do të miratojë Parlamenti, do të bëj prezent dhe publik mendimet e mia. Por të kthehemi te pyetja. Juve në fakt, në një pyetje kërkoni dy përgjigje nga unë. E para që kërkoni ju është se, cila është përmbajtja e dosjeve? Unë mund t’u them se në to ka deponime të ndryshme të informatorëve për mendimet e qytetarëve, pra të mjekëve, të inxhinierëve, artistëve etj. ashtu siç ka edhe informacione në lidhje me ruajtjen e interesave kombëtare e që janë të domosdoshme për çdo kohë, mbi sabotimet apo vjedhjet. E dyta që kërkoni ju është se cilët janë informatorët? Për këtë unë mund t’ju them se ata janë të shumtë por të gjithë duhet të ekspozohen, pasi e mira e do që të ekspozohen vetëm ata të cilët aktualisht janë në sferat e larta, Parlament, Qeveria apo parti politike. Të kuptohemi, këto janë mendimet e mia dhe unë nuk mund të vendos për këtë çështje.
Është thënë disa herë në shtyp se ish-Ministri i Brendshëm Gramoz Ruçi i ka asgjësuar dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit. A është e vërtetë kjo?
Janë thënë shumë gjëra për Gramoz Ruçin megjithatë për pyetjen tuaj unë mund të them se Gramoz Ruçi është dhe do të jetë në Shqipëri e në qoftë se ai është ekzekutor i dosjeve të sigurimit të shtetit, pushtetarët që sot kanë në dorë veprimtarinë time të djeshme e të sotme, dosjet e mia të djeshme e të sotme dhe dosjen që më kanë krijuar sot le të më akuzojnë për falsifikator apo ekzekutor dhe pastaj shteti juridik le të veprojë e le të më likuidojë mua.
Ndoshta është më në interes të bisedojmë pak më qetë sesa deri në këtë moment. Ç’mendon ish-Ministri i Brendshëm për dosjet, duhen hapur apo s’duhen hapur dhe pse?
Pozicioni im ka qenë dhe mbetet ai që kam shprehur: dosjet duhet të hapen për të gjithë politikanët dhe qeveritarët me ligj dhe jo ashtu si deri më sot. Boll më me spekulime.
Ju sigurisht që i dini një pjesë të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit që sot kanë penetruar në radhët e pushtetit apo po ngjisin shkallët e hierarkisë. Si qytetar, pse nuk i denonconi këta njerëz hije që kërkojnë të përfitojnë nga demokracia?
Një veprim i tillë do të krijonte një anomali të madhe në sistemin tonë demokratik pluralist dhe do të shkelte ligjet e shtetit tonë juridik prandaj unë kam qenë, jam dhe do të mbetem për zbatimin e kritereve e normave të shtetit demokratik dhe për zbatimin e ligjeve të shtetit juridik. Lufta, kontributi dhe puna ime konsistojnë në zbatimin e parimeve të demokracisë, të zbatimit të ligjeve të shtetit juridik.
Po deri sa të zbatohen ligjet e shtetit demokratik, a është e ndershme që njerëz me të kaluar të errët të ngjisin shkallët e pushtetit të sotëm?
Aq sa e pandershme është që njerëz ish-bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit të ngjitin shkallët e hierarkisë të shtetit tonë, aq e pandershme është dhe hapja në rrugë joligjore e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit.
E ndërsa mendimin tuaj si qytetar e mësuam, me interes do të ishte të mësonim për të njëjtin problem edhe mendimin e sekretarit të përgjithshëm të PS, të kësaj partie që pretendon se nuk ka asgjë të përbashkët me Partinë e Punës. Pse nuk i denonconi ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit që i shërbyen Partisë së Punës?
Ne nuk kemi asnjë lidhje me Partinë e Punës megjithatë për sa kohë të mos ketë ligj për hapjen e dosjeve ne nuk do të denoncojmë asnjë njeri sepse ne respektojmë parimet e demokracisë dhe shtetin e së drejtës. Është e drejta e shtetit që të vendosë për këtë çështje dhe jo e partive politike, prandaj, përderisa të miratohet ligji për dosjet nga Parlamenti, ne do të denoncojmë çdo spekulim që do të bëhet me to. Sa për kuriozitet, po u them se në Partinë Socialiste, si një udhëheqje ashtu dhe në grupin e saj parlamentar nuk ka asnjë bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit sepse që në fillim kandidatëve tanë ua bëmë të qartë këtë kriter.
Faktikisht dosjet janë hapur të paktën në shtyp. E filloi ZP dhe e vazhdoi RD dekonspirimin e pseudonimeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit, duke treguar se sekreti nuk ruhet më. Sipas jush, a duhet të vazhdojë kjo lojë spekulative përmes shtypit?
Dua të sqaroj diçka. Nuk është gazeta “ZP” ajo që ka dekonspiruar pseudonimet e bashkëpunëtorëve të sigurimit. Mundet që ndonjë gazetar apo bashkëpunëtor i kësaj gazete duke përfituar nga situatat ka nxjerrë përmes shtypit një të fshehtë. Kushdo qoftë ai unë jam i mendimit se ai njeri duhet vënë para përgjegjësisë ligjore nga shteti.
Sot ka dhe një praktikë tjetër për hapjen e dosjeve, hapja individuale dhe largimi nga skena i njerëzve të “padëshiruar”. Mendoni se kjo formë pune është normale në këtë periudhë?
Ju mund të keni plotësisht të drejtë nisur nga ato çka ka shkruar shtypi por unë nuk di ndonjë rast konkret. Sidoqoftë do të thosha që në rast se kjo është e vërtetë, kjo është e turpshme, bile jo vetëm e turpshme nga pikëpamja morale por edhe e dënueshme nga pikëpamja ligjore. Ai përfaqësues shteti që spekulon me sekretin shtetëror e që u bën presion njerëzve publikë duhet të përgjigjet para ligjit.
Sipas jush, pse nuk miratohet ligji për hapjen e dosjeve nga Parlamenti kur liderë të ndryshëm të PD janë prononcuar pro hapjes?
Mendoj se prononcimi i liderëve nuk është gjithçka. Tjetër gjë është të prononcohesh e tjetër gjë është të punosh për zbatimin e atyre që thua. Për mua përgjegjësia e moshapjes së dosjeve qëndron te qeveritarët e sotëm të cilëve do t’u bëj thirrje së bashku me grupin parlamentar që ta marrin vetë iniciativën për bërjen e ligjit mbi hapjen e dosjeve sepse kjo është në nderin e tyre. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të hiqet hija e dyshimit mbi gjithë pushtetarët e PD, hije e cila rëndon mbi ta prej kohësh. Personalisht do të dëshiroja që intelektualët e vërtetë e të ndershëm të PD të distancoheshin nga ata njerëz që kanë qenë deri dje bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit.
Unë këmbëngul edhe një herë te pyetja ime, pse pushtetarët e sotëm nuk pranojnë të hapen dosjet?
Këtë pyetje do të ishte mirë t’ia u bënit pushtetarëve, për të cilët unë mendoj se nuk e ndiej me sa duket veten të sigurt për ta ndërmarrë këtë hap. Arsye tjetër për mua nuk ka.
Me hapjen e dosjeve humbet apo fiton Shqipëria?
Me hapjen e dosjeve fiton Shqipëria, por mbi të gjitha do të thosha fiton demokracia sepse pastrohet vendi dhe piramida shtetërore nga ata njerëz që s’kanë të drejtë morale për të qenë në hierarkinë shtetërore. Kjo do të thosha është edhe në të mirë të vetë politikanëve e qeveritarëve shqiptarë. Sa të rrinë gjithë jetën pa gjumë, më mirë të rrinë një natë e të flenë 364 net të tjera.
Dikur në një miting, në mos gaboj në Krujë, Azem Hajdari ka deklaruar se 1/3 e shqiptarëve kanë qenë spiunë të sigurimit. Si ish-titullar i atij dikasteri dëshironi të prononcoheni?
Deklarata të tilla të papërgjegjshme janë bërë shumë herë dhe unë nuk merrem me to. Unë di të them që çdo shtet që quhet shtet ka informatorët e vet dhe këta në bazë të ligjit duhet t’i shërbejnë vetëm interesave kombëtare.
Ju vetë si mendoni të angazhoheni në çështjen e dosjeve?
Si sekretar i përgjithshëm i PS unë do të punoj që gjithçka të bëhet sipas ligjeve.
Dhe së fundi, ç’mendoni se mund të ndodhë me ju, njeriun për të cilin thuhet se di më shumë se ç’duhet?
Unë mendoj se nuk do të ndodhë asgjë pasi Gramoz Ruçi di aq sa duhet dhe asgjë më shumë.
Intervistoi Ilir Keko