Historiania Elena Kocaqi: I plotësoj kriteret për të qenë Presidente
Shumë shpejt Shqipëria do të ketë Presidentin e ri. Në rrjetet sociale gjithmonë e më shumë po lakohet ideja e një presidente grua, ku një ndër emrat më të përmendur është edhe ajo e historianes Elena Kocaqit.
Vetë ajo rendit 3 arsye pse është një kandidate e vlefshme dhe e mundshme për t’u zgjedhur presidentja e Shqipërisë për 5 vitet e ardhshme. Arsimi, pastërtia e figurës dhe qëndrimi i saj bipartiak janë pikat e saj të forta, për të cilat Kocaqi shprehet se ka fituar edhe pëlqimin e pjesës më të madhe të popullit në rrjetet sociale dhe se duhet të merren parasysh nga mazhoranca.
Lidhur me figurën e presidentit të vendit, Kocaqi tha se ajo do të ishte një figurë mbi palët politike dhe unifikuese duke pasur në vëmendje vetëm interesin e shqiptarëve.
“Unë nuk hyj në punët e brendshme të partive dhe nuk jam pjesë e tyre dhe po të zgjidhem jam për zgjidhjen e problemeve dhe për t’i shërbyer qytetarëve. Presidenti duhet të jetë apolitikë, pasi një president politik krijon konflikte cilido qoftë ai, një president që nuk vjen nga asnjë parti shikon interesin e shtetit dhe jo interesat partiake. Është në të mirën e Shqipërisë që të kemi një president mbi palët. Prandaj presidentit priren të jenë jurist pasi njihni mirë ligjin dhe shtetin. Unë do të isha një kandidate konsensual pasi nuk kam probleme me mazhorancën apo opozitën dhe respektoj të gjitha palët dhe nesër nuk do të prek interesin e asnjë pale por do i respektojë ato në maksimum”,-tha për “Report Tv”.