Historike, Shqipëria bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Për herë të parë, Shqipëria do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Bashkuar, pasi u votua për të marrë një nga 5 vendet e përkohshme në këtë këshill, me një mandat dy-vjeçar. Shqipëria u mbështet nga 175 vende anëtare nga 190 që morën pjesë në votim. Në garë për 5 vende ishin 6 shtete, përveç Shqipërisë edhe Brazili, Republika Demokratike e Kongos, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Shqipëria ishte vendi i vetëm që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.

Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar. Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione. Veprimet e tij supozohet të parandalojnë dhe zgjidhin konflikte, por në vitet e fundit, kritikët thonë se pikëpamjet kontradiktore, veçanërisht mes pesë anëtarëve të përhershëm, kanë bllokuar marrjen e vendimeve për çështje urgjente.

E pranishme ishte edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila votoi si përfaqësuesja më e lartë e Shqipërisë në Asamblenë e OKB-së. Ditën e djeshme Xhaçka u pritur nga përfaqësuesit e përhershëm të 5 vendeve anëtare me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, me përfaqësuesit e përhershëm të atyre vendeve që për dy vitet e ardhshme do shërbejnë në Këshill së bashku me Shqipërinë, si dhe me një numër përfaqësuesish të përhershëm të vendeve të tjera.

Lexoni edhe:

Shqipëria pjesë e Këshillit të Sigurimit në OKB, Meta: Vendi ynë do ta përmbushë me përgjegjësi këtë mision

Shqipëria në Këshillin e Sigurimit, Soreca: Ditë historike, punojmë për çështjet globale

Shqipëria anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB, Rama: Lajm i bukur!

Shqipëria në Këshillin e Sigurimit dhe urdhri i Biden, Xhaçka flet për VOA-n: Prioritet Kosova

SHKARKO APP