Hodaj: 3000 punonjës policie në terren, ja si do të funksionojë aplikimi online për të marrë leje për të dalë nga shtëpia

Zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj në një lidhje me Skype në “News 24” deklaroi se policia ka marrë të gjitha masat që situata të jetë nën kontroll në këtë kohë të koronavirusit.

Hodaj theksoi se janë mbi 3000 punonjës policie në terren, duke shtuar se shumica e personave iu janë përmbajtur rregullave të forcave të rendit.

“Kemi në terren shumë punonjës të policisë. Janë rreth 3000 punonjës të policisë që mbulojnë gjithë territorin. Do të jetë i njëjti regjim si javën e kaluar, e do kalojnë vetëm kamionët e mallrave. Vendimet ne i kemi marrë të qendërzuara. Në këtë sens, jemi më të avancuar. Masat do të shtrëngohen ose lirohen në varësi të situatës. Jemi optimist. Ata që janë brenda rregullave janë më shumë sesa ata që nuk respektojnë rregullat”, tha Hodaj.

Julian Hodaj nënvizoi se që nesër do të ketë një aplikacion online, ku një person nga familja mund të marrë leje që të bëjë pazar ose të dalë për të kryer shërbimet kryesore. Ai tha se të moshuarit nuk do lejohen që të dalin nga banesa.

Në të gjitha familjet, një person mund të dalë të bëjë pazarin. Nuk është nevoja që të dalin përditë. Nesër do jetë më e qartë, si do bëhet, me anë të një sms-je apo aplikimi online. Kuptohet se janë të përjashtuar të moshuarit”, u shpreh Hodaj.

SHKARKO APP