Humb jetën efektivi i FNSH/ Policia e Shkodrës jep detaje: Pasi ra në kanal e mori rrjedha e ujit

Policia ka dhënë detaje nga aksidenti tragjik ku humbi jetën efektivi i FNSH-së, Nikol Lekndreaj.

Sipas uniformave blu ngjarja ndodhi rreth orës 02:50 në fshatin Bardhaj ndërsa bëhet me dije se 51-vjeçari, punonjës policie i Forcës Kombëtare të Sigurisë në Njësinë Shkodër, ishte jashtë orarit të shërbimit.

Dyshohet se ai ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motori për shkak të motit të keq duke dalë nga rruga dhe ka rënë në një kanal. Efektivi është marrë nga rrjedha e ujit dhe për pasojë ka humbur jetën. Trupi i tij u gjet përgjatë orëve të para të mëngjesit nga shërbimet e policisë gjatë kontrollit të kanalit që të çon në lumin Kir.

Njoftimi i policisë:

“Rreth orës 02:50, në fshatin Bardhaj, shtetasi N. L., 51 vjeç, (punonjës policie i Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, i cili ishte jashtë orarit të shërbimit), duke drejtuar motomjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, si pasojë e motit të keq, dhe për pasojë motomjeti ka dalë nga rruga, duke rënë në një kanal me ujë.

Shtetasin N. L. e ka marrë rrjedha e ujit dhe për pasojë ka humbur jetën.

Shërbimet e Policisë, përgjatë orëve të mëngjesit, gjatë kontrollit të kanalit që të çon në lumin Kir, kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të 51-vjeçarit.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti”, njofton policia.

SHKARKO APP