Humbi shikimin pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërron jetë nga COVID-19 pedagogu i Politeknikut, Klement Qerimi

Pedagogu i Universitetit Politeknik, Klement Qerimi ka humbur betejën me COVID-19. Qerimi ndodhej prej ditësh i intubuar në spital Infektiv, por nuk ka mundur dot ta mposhtë virusin.

Lajmi për ndarjen nga jeta është shpërndarë në rrjetet sociale nga familjarët dhe miqtë e tij. Klement Qerimi, 47-vjeç, ishte pedagog i Inxhinierisë në Universitetin Politeknik.

Pedagogu pas tërmetit të 26 nëntorit, pësoi dëme të mëdha shëndetësore. Nga shembja e banesës, ai pësoi dëme të mëdha në retinën e syrit të djathtë. Qerimi publikoi gjithashtu grafitë e kryera pas dëmtimit në sy dhe në hundë, ndërsa theksonte se duhej të operohej sa më parë, përndryshe rrezikonte të humbiste shikimin. Njëkohësisht ai kërkoi ndihmën e shqiptarëve për të kryer dy operacione të cilat kushtonin 4000 euro, pasi nuk mund t’i përballonte dot financiarisht.

Ndërkohë, numri i viktimave nga Covid-19 në Shqipëri ka shkuar në 200. Gjatë 24 orëve të fundit humbi betejën me koronavirus 55-vjeçarja nga Vlora, ndërkohë që u konfirmuan 125 raste të reja. Në total, në vendin tonë janë 2957 të infektuar, ndërsa 3379 të tjerë janë shëruar. Aktualisht në dy spitalet Covid, në Infektiv dhe tek “Shefqet Ndroqi” janë 122 pacientë të shtruar, 19 prej tyre në terapi intensive, 3 prej të cilëve të intubuar.

SHKARKO APP