Humbte paratë në bixhoz, rrihte gruan prej 18 vitesh derisa arrestohet

Abuzim psikologjik, dhunë fizike, kërcënime me vdekje, poshtërime të të gjitha llojeve, madje në sy të fëmijëve të mitur. Policia italiane e Provincës së Savonës ka arrestuar shqiptarin Skënder Hoxha, pas denoncimit të bashkëshortes, e cila ka rrëfyer se për 18 vite rradhazi ishte viktimë e dhunës së tij.

Sipas mediave italiane, që kanë siguruar dëshminë e gruas ne polici, prej vitit 1997, bashkëshorti i saj, me profesion zejtar, i humbiste të gjitha paratë e fituara në lojërat e fatit. Pas çdo humbje kthehej në shtëpi duke shfryrë zemërimin tek bashkëshortja dhe fëmijët minorenë.

Pas dhunimit të radhës kryer gjatë orëve të fundit, e pas 18 vite dhunë fizike e psikologjike, bashkëshortja e tij nuk ka duruar më. Ajo i është drejtuar rajonit të Policisë së bashku me dy fëmijët e saj.

Policia me pas i ka strehuar ata në një strukturë mbrojtëse në ndihmë të personave, viktimë të dhunës familjare.

Hoxha, u arrestua në banesën e tij në komunën Borgio Verezzi. Tani ndodhet në burgun Sant’Agostini të kësaj province, në pritje të proçesit gjyqësor.

SHKARKO APP