Hysi: Kuvendi s’bën dot pa akademikët
Kuvendi i Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me 23 universitete publike dhe private në mënyrë që akademikët dhe universitarët të kontribuojnë në vendimmarrje më të mira të Kuvendit.
”Përfitimi është reciprok. Kuvendi i Shqipërisë do të përfitojë asistencë në formën e një oponence apo dhe draftimin të projektligjeve të ndryshme, por nga ana tjetër ne hapim bibliotekën e Kuvendit të Shqipërisë që është një thesar dhe ajo do të jetë e hapur për kërkuesit shkencorë të universiteteve”,-tha Hysi për ”Report TV”.
Por a do t’ia dalë zëri i akademikëve të jetë më i fortë se interesat politike në vendimmarrje? ”Unë besoj që ja ka dalë. Kemi shembullin e reformës në drejtësi. Nuk isha as unë e as kolegët e mi që draftuam reformën, por pedagogët e juridikut që ishin ekspertë të nivelit të lartë. Ne nuk mund të bëjmë dot pa mendimin shkencor të pavarur. Ajo që duhet të bëjmë ne si klasë politike është që t’i dëgjojmë e respektojmë akademikët kur vijnë në komisione. Nuk duhet t’i ndajmë të majtë të djathtë. Ata nuk janë as të kuq, aq blu, ata janë ekspertë”.
Buxheti i vitit 2019 është puna kryesore parlamentare e këtyre muajve. Ngelet për tu parë nëse akademikë dhe universitarë të fushës së ekonomisë do të thirren apo dëgjohen për paketën fiskale.
KOHA JONË SONDAZH

