I bënë pritë në hyrje të shtëpisë, zbardhet dëshmia e të plagosurit. Në 5 muaj Vlora nuk gjen qetësi

Mëngjesin e kësaj të diele, Edison Begaj i shpëtoi një atentati para shtëpisë së tij, ku autori qëndronte shumë afër tij në pritje për ta vrarë. Ngjarja ka ndodhur në Vlorë, ku 38-vjeçari është plagosur në këmbë me 4 plumba dhe po merr mjekimin në spitalin e Vlorës. Në dëshminë e tij të parë, ai ka thënë se nuk e ka parë autorin dhe nuk e di se kush mund të jetë, kjo edhe për shkak të errësirës në zonë.

Prej 5-së muaj, ky qark nuk ka gjetur qetësi. Më 6 shkurt nisi prishja e rendit, me ekzekutimin me kallashnikov të Gentjan Qarrit. Viktima po lëvizte në këmbë kur në drejtim të tij u qëllua me breshëri plumbash. Qarri ishte dënuar në Itali me 11 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike. Kurse Tauland Gjika sapo kishte debatuar me autorët në një lokal në Vlorë për shkak të një borxhi dhe ishte larguar. Gjika u ekzekutua sapo doli nga automjeti i tij me xhama të zinj. Njëri prej autorëve, Hansi Jonuzi, u arrestua në ditën e ngjarjes. Pak javë më vonë në polici u vetëdorëzua edhe Skerdian Gabrani.

Prilli u mbyll në qetësi në Vlorë, por 10 maji riktheu sërish atentatet mafioze. Bledar Birçaj u ekzekutua në një atentat të mirëorganizuar nga dy persona, ndërsa po lëvizte me dy persona të tjerë në automjetin e tij. I kthyer vetëm një muaj më parë nga Spanja, vrasja e Birçaj po hetohet për konflikte që mund të ketë pasur atje. Hetuasit akoma nuk kanë mundur të gjejnë makinën e atentatorëve.

Kur jehona e plumbave ndaj Bledar Birçajt akoma nuk ishte shuar, Vlora u trondit sërish. Delon Troqe u ekzekutua para biznesit të tij mbrëmjen e 21 majit. Ndaj 38-vjeçarit, i cili sapo ishte kthyer nga Spanja u qëlluar me breshëri kallashnikovi nga dy persona. Autorët u larguan dhe dogjën mjetin në fshatin Sherishtë. Edhe Troqe kishte pak kohë që ishte kthyer nga Spanja.

SHKARKO APP