I burgosuri në Drenovë lë qelinë: U dënova padrejtësisht, do të kërkoj drejtësinë
Pas më shumë se dy vitesh në burg, Besmir Gjezari ka lënë qelinë dhe thotë se do të nisë një betejë ligjore për të provuar pafajësinë e tij.
Gjezari u dënua me 5 vite burg për akuzat e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, por pretendon se është dënuar padrejtësisht dhe se ndaj tij janë ngritur akuza të pabazuara.
“Jam akuzuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Jam dënuar me pesë vite burg dhe kam vuajtur dy vite e shtatë muaj. Nuk jam kapur me asnjë lloj lënde narkotike. Jam dënuar padrejtësisht nga Prokuroria dhe Gjykata e Korçës, dhe këtë e lidh me oficerin e policisë gjyqësore, Mariglen Beqo. Ai ka vepruar me tendencë.
Gjithçka nisi prej tij. Ai më ka dëmtuar edhe familjen. Prej më shumë se dy vitesh nuk kam mundur të takoj familjen time. Do të kërkoj drejtësi dhe kjo është vetëm fillimi. Tani që kam dalë, do t’i nis të gjitha procedurat nga e para.
Nuk i kam takuar familjarët, sepse nuk e ka lejuar prokurorja. Për një çështje që nuk e kam pasur, ndikimi, sipas meje, ka ardhur nga oficeri i policisë gjyqësore, i cili më ka hequr padrejtësisht të drejtën për të takuar fëmijën tim. Kam një fëmijë të mitur, tre vjeç. E kam lënë kur ishte rreth një vjeç dhe prej atëherë nuk kam mundur ta takoj apo ta shoh. Këto janë padrejtësitë që, sipas meje, më ka bërë oficeri i policisë gjyqësore, Mariglen Beqo.
Kam përjetuar presion dhe kërcënime nga njerëz të drejtësisë, ndaj ndihem shumë i kërcënuar dhe i rrezikuar, si unë, ashtu edhe familja ime.
Jam i kërcënuar me jetë, si unë, ashtu edhe familja ime. Më janë kthyer sendet personale, por ende nuk e di dhe nuk e kuptoj arsyen e gjithë kësaj. Nuk e kuptoj pse nuk më është lejuar të takoj familjen për më shumë se dy vite dhe pse më është hequr padrejtësisht e drejta për të takuar fëmijën tim. Nëse në këtë ka ndikuar oficeri i policisë gjyqësore, atëherë arsyet i di ai. Këtë do ta kërkojmë përmes drejtësisë.
Jam njeri familjar, kam një fëmijë të mitur dhe një biznes timin. Dua t’i përkushtohem familjes”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

