I burgosuri për 100 gram drogë mjaft i sëmurë. Manjani : Të falet
Pas publikimit të letrës së hapur të të dënuarit në burgun e Korçës, Hyqmet Spahollari, ku ai kërkonte ndihmë për ta liruar, pasi i rrezikohej jeta, ka reaguar edhe dikasteri i Drejtësisë.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ministri Manjani bënte të ditur se e ka vlerësuar me përparësi këtë kërkesë dhe se administrata e Burgjeve do të fillojë procedurën e përgatitjes së dokumentacionit për faljen e të dënuarit.
“Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka vlerësuar me përparësi kërkesën e Hyqmet Spahollarit. Që prej datës 20 korrik 2016, Spahollarit i është caktuar një avokat falas nga ana e Komitetit të Ndihmës Ligjore. Ndërkohë, ministri Manjani ka urdhëruar edhe administratën e Drejtorisë së Burgjeve që të fillojë procedurën e përgatitjes së dokumentacionit për faljen e të dënuarit. Manjani kërkon që këtij shtetasi t’i krijohet një mundësi ligjore që t’i lejojë trajtim shëndetësor të specializuar në mënyrë përfundimtare”, thuhej në njoftimin e dhënë nga Ministria e Drejtësisë.
Ditë më parë, u publikua letra e hapur e të dënuarit për 100 gramë drogë. Pasi Spahollari ka kryer pjesën më të madhe të dënimit dhe i kanë mbetur vetëm 12 muaj për të shlyer, ai u bënte apel instancave të marrin parasysh kërkesën e tij, që ta shlyejë këtë pjesë në Shërbim Prove, pasi jeta e tij është në rrezik.
Ai i drejtohej ministrit të Drejtësisë, por edhe kryeministrit, për të gjetur një zgjidhje, pasi është invalid dhe trajtohet me një sërë medikamentesh për disa sëmundje. Sipas Spahollarit, ka kryer ndërhyrje në zemër, jeton me një veshkë dhe ka mjaft probleme të tjera shëndetësore për të cilat merr edhe medikamente.
KOHA JONË SONDAZH

