I dënuar me 12 vite burg për mashtrim, kush është italiani i arrestuar në Vlorë
Një shtetas italian ka rënë në prangat e policisë së Vlorës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Mashtrimi financiar”. Arrestimi provizor i tij u bë nga strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me FAST Albania dhe Interpol Tirana, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë dhe FAST Albania, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi provizor i shtetasit italian Paolo Ali, 61 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Milano, Itali, me vendimin e datës 08.07.2020, e ka dënuar me 12 vjet, 10 muaj e 20 ditë burg, për veprën penale “Mashtrimi financiar”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.