I dënuar në Gjermani për vjedhje, kapet në Qafë-Morinë 47 vjeçari nga Kosova
Një 47 vjeçar nga Kosova ka rënë në prangat e policisë në pikën kufitare në Qafë-Morinë nën akuzën e “vjedhjes në rrethana rënduese”.
Arrestimi i tij u bë nga policia kufitare në bashkëpunim me Interpol Tirana me qëllim ekstradimi në Gjermani.
“Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Qafë Morinës, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Interpol Tirana, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar H. H. (K)., 47 vjeç, banues në Smolicë, Kosovë” – njofton policia.
47 vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Lokale Geilenkirchen/Gjermani i ka vendosur masën e sigurimit ‘arrest në burg’, për veprën penale “vjedhja në rrethana rënduese”.
Maksimumi i dënimit për këtë vepër penale është 10 vjet burg.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë bënë arrestimin provizor të tij, me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë, mbështetur në Konventën Evropiane të Ekstradimit.
Shërbimet e Policisë Kufitare, me rihapjen e kufijve, kanë marrë masa duke shtuar kontrollet për kapjen e personave në kërkim, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.