I dënuar për trafik droge në Spanjë, prangoset në Mal të Zi biznesmeni i afërt me qeverinë
Policia e Malit të Zi ka arrestuar shtetasin shqiptar Anton Gjinaj, 55 vjeç, i kërkuar nga Spanja për trafik droge dhe vuajtje të një dënimi me burg.
Media serbe Novosti shkruan se Gjinaj u arrestua në vendkalimin kufitar Rozaje dhe hetimi përcaktoi se ai ishte në kërkim nga NCB Interpol Madrid.
Bazuar në njohuritë operacionale, dhe më vonë në verifikimin dhe konfirmimin e identitetit, u përcaktua që ky person kërkohej nën një identitet tjetër (Pashk Rrapi) nga NCB Interpol Madrid, në mënyrë që të vuante një dënim me burg prej 8 vjet e 9 muaj për krimin e trafikut të drogës.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjinaj është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës, në zonat përreth qyteteve të Murcia dhe Alicante.
Ekstradimi i tij u urdhërua për këtë person nga gjykatësi i Gjykatës së Lartë në Podgoricë
Pashk Rrapi, allias Gjinaj përmes firmës së tij të ndërtimit, ka marrë miliona euro për projekte publike në Shqipëri.
Edhe pse ndaj tij ka pasur denoncime të ndryshme në media, ai nuk është ndaluar asnjëherë nga autoritetet shqiptare, edhe pse ka marrë tendera në tre prej bashkive kryesore në vend, Tiranë, Durrës dhe Krujë.
Ai ka qenë një prej biznesmenëve më të preferuar të qeverisë Rama, dhe mbetet për tu parë nëse do të ketë një hetim të pasurive të tij në shtetin shqiptar.
Marrë nga Lapsi.al