I dogjën makinën, Deizi Arapi flet për sherrin me deputetin: Herën tjetër do më gjeni në ndonjë kanal
Një makinë është djegur gjatë natës në Bilisht në pronësi të Deizi Arapit. Vetë ajo kërkon ndihmë nga shteti, duke u shprehur se ngjarjet që i kanë ndodhur kanë lidhje me një konflikt të vjetër. Ajo ka treguar për sherrin që ka pasur me deputetin e PD-së, Bledion Nallbatin.
“I kërkoj ndihmë shtetit pasi është hera e dytë që më ndodh dhe ka lidhje me një konflikt të vjetër. 4 vite më parë mamaja ime është pushuar nga puna si pastruese padrejtësisht dhe unë jam konfliktuar me ish kryebashkiakun Bledion Nallbati (aktualisht deputet).
Pas konfliktit mu dogj makina e parë. Dje gjatë gjithë ditës më ka ndjekur një person me të cilin dhe kam shkëmbyer fjalë mbrëmë. Ai është punonjës i karburantit në pronësi të Bledion Nallbatit. Në vendngjarje është gjetur një bidon benzine nga ky karburant ashtu si herën e kaluar.
Djegien e makinës së parë policia e konsideroi aksidentale por ja qe ngjarja po përsëritet. Nëse nuk merren masa nuk është çudi që unë të përfundoj në ndonjë kanal”, tha ajo.