I “forti” nga Dibra hap lokalin dhe kërcënon policët, përfundon në pranga
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, krahas angazhimit maksimal për zbatimin e masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë vijuar punën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara në terren, kanë konstatuar se shtetasi Sh. B. kishte hapur lokalin në kundërshtim me Aktin Normativ.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin “Bar Kafe” në qytetin e Peshkopisë, shtetasi Sh. B, për shkak të detyrës, i ka goditur, kërcënuar dhe kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke mos iu bindur urdhrave të tyre për kontrollin e lokalit dhe shoqërimin e tij në komisariat.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. B., 50 vjeç, banues në Peshkopi, si dhe u mor masë administrative sipas Aktit Normativ, neni 3, pika 7, për subjektin “Bar Kafe” në administrim të shtetasit të lartpërmendur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprat penale “Kanosja”, “ Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.