FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

I dekretuari për ambasador në Shqipëri: SPAK institucion me vlerë dhe apolitik

Eric Wendt është një personalitet me CV të pasur, njeri me integritet dhe bashkëpunues.

I dekretuari i Presidentit Trump si ambasador në Shqipëri, Eric Wendt, foli në Komitetin e Jashtëm të Senatit amerikan për prioritetet që do të ketë nëse konfirmohet në detyrën në vendin tonë. Wendt e konsideroi SPAK-un një institucion të vlefshëm, apolitik dhe të pavarur, që duhet të vazhdojë operacionet kundër organizatave kriminale transnacionale. Ai vuri në dukje se ndarja e informacioneve nga SPAK me SHBA-të ka sjellë luftimin e dërgesave të drogës që mbërrinin nga Paraguai.

”Nëse konfirmohem për rolin tim në Shqipëri, SPAK-u është nga gjithçka që kam lexuar, një institucion shumë i vlefshëm, ka qenë apolitik, i pavarur. Prokurorët që shkojnë në SPAK kalojnë në një Veting shumë të kujdesshëm, dhe janë të mbikëqyrur nga organizata ndërkombëtare të monitorimit, SHBA dhe BE. Kanë Byronë e tyre të hetimit dhe gjykatat e tyre të posaçme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nëse konfirmohem, mund të përkushtohem sigurisht për të çuar përpara, që të vazhdojnë operacionet e pavarura, për të luftuar organizatatat kriminale transnacionale. Ndarja e informacioneve që ata bëjnë me ligjvënësit në SHBA ka qenë diçka shumë transparente. Kjo ka sjellë edhe ndjekjen ligjore të elementëve kriminalë në SHBA dhe luftimin e dërgesave të drogës nga Paraguai. Puna e tyre në këtë drejtim është e vlerfshme, për sa kohë që do mbeten apolitik dhe të pavarur. Kjo ndihmon edhe ambientin e biznesit për kompanitë amerikane në Shqipëri”, tha ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Wendt theksoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së qytetarëve amerikanë dhe forcimit të sigurisë kibernetike dhe kapaciteteve të NATO-s.

“Faleminderit zoti kryetar dhe anëtarë të nderuar të komisionit. Kam pasur privilegjin t’i shërbej Shteteve të Bashkuara të Amerikës si ushtarak aktiv. Kam kaluar katër vite e gjysmë në këmbësori dhe 30 vite si pjesë e forcave speciale “Green Berets”. Gjatë kësaj periudhe kam shërbyer për dy vite pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, ndërsa drejtoja një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë i SHBA-ve për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez. Në atë detyrë kam operuar çdo ditë si pjesë e Ambasadës Amerikane në Jerusalem, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari Amerikan i Shtetit.

Pas daljes në pension nga shërbimi ushtarak, kam pasur mundësinë të jap mësim për komandim dhe lidership në universitetin ku jam diplomuar, në Naval Postgraduate School në Monterey të Kalifornisë.

Sot, bashkëshortja ime ndodhet në Okinawa të Japonisë me vajzën tonë, dhëndrin tonë që shërben si kapiten në Forcat Ajrore Amerikane dhe mbesën tonë, për t’u kujdesur për një tjetër mbesë që sapo ka lindur. Djali ynë, toger i parë në Ushtrinë Amerikane dhe pjesë e Divizionit të 82-të Airborne, ndodhet sot këtu pas meje. Ai dhe bashkëshortja e tij i shërbejnë vendit në Fort Bragg, Karolina e Veriut.

Ne jemi një familje që e duam Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jemi mirënjohës për mundësinë për t’i shërbyer këtij vendi të jashtëzakonshëm.

Si komandant i forcave speciale të NATO-s, trupat speciale shqiptare ishin pjesë e komandës sime dhe kam punuar me to në terren në Shqipëri. Në Afganistan kam shërbyer si zëvendëskomandant i një komande rajonale ku përfshiheshin edhe trupat shqiptare. Kam konstatuar se forcat speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit shqiptar Skënderbeu. Ndërsa vetë populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës.

Nëse konfirmohem në këtë detyrë, prioritetet e mia kryesore do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-ve. Në ambasadë do të ndjekim katër linja kryesore veprimi për të zhvilluar më tej planin e Ambasadës Amerikane në Shqipëri.

Linja e parë do të fokusohet te mënyrat për ta bërë Amerikën më të sigurt. Mbështetja ndaj Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet latino-amerikane do të ndihmojë që si Amerika, ashtu edhe Shqipëria të jenë më të sigurta.

Së dyti, do të punojmë për ta bërë Amerikën më të mbrojtur. Këto hapa do të ndihmojnë edhe sigurinë e Shqipërisë. Do të mbështes përparimin e Shqipërisë drejt angazhimeve të Samitit të NATO-s në Hagë në vitin 2025, për rritjen graduale të shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Gjithashtu do të mbështesim forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike dhe nisma të përbashkëta në fusha të ndryshme ushtarake.

Së treti, fokusi ynë do të jetë prosperiteti ekonomik. Këto përpjekje do të ndihmojnë njëkohësisht edhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ndërsa sektorët e inteligjencës artificiale, energjisë, infrastrukturës, minierave dhe sektorë të tjerë zhvillohen në Shqipëri, bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të kenë një klimë të drejtë ligjore dhe kontraktuale.

Së katërti, fokusi ynë do të jetë vetë ambasada dhe njerëzit që punojnë aty. Një nga elementët kryesorë që unë e quaj ‘faktori njerëzor’ do të synojë të përdorë mënyra standarde dhe kreative për t’u kujdesur për pjesën më të rëndësishme të ambasadës: njerëzit e saj, si në aspektin profesional ashtu edhe atë personal.

Në përfundim, nëse konfirmohem, pres me padurim të bashkëpunoj me anëtarët e këtij komisioni dhe me partnerët tanë në Shqipëri për të arritur këto objektiva të rëndësishme. Jam i gatshëm t’u përgjigjem pyetjeve tuaja”, tha ai.

“Kam besim se do të ketë mënyra të ndryshme që do të gjejmë për të tejkaluar detyrat ushtarake dhe për të përmbushur synimet e NATO-s, përfshirë edhe përdorimin e Porto Romanos, një nga portet kryesore që në të ardhmen mund të shfrytëzohet. Dërgimi i pajisjeve ushtarake do të kishte përfitime, ndërsa përmirësimi i infrastrukturës është gjithashtu i rëndësishëm”, deklaroi Wendt.

Ai shtoi se, nëse konfirmohet në detyrë, do të jetë i fokusuar edhe në mbështetjen e bizneseve amerikane që operojnë në Shqipëri, pa dallime apo preferenca, duke theksuar se roli i tij do të jetë lehtësimi i aktivitetit të tyre ekonomik.

“Nuk kam informacion të plotë për investimet në Shqipëri, por detyra ime si ambasador është të mbështes bizneset amerikane, të gjitha pa preferenca. Gjithashtu do të sigurohem që kjo të bëhet në mënyrën e duhur, veçanërisht në aspektin e korrupsionit. SPAK ka qenë shumë efektiv. Kur të jem në terren, do të kuptojmë më mirë situatën”, u shpreh ai

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?