I nxorrën pasaportë false skafistit të 9 janarit dënuar me 25 vjet, në pranga 2 policëve në Vlorë

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (ish-SHKB) arrestoi 2 punonjës policie, që i kishin nxjerrë një pasaportë të falsifikuar skafistit të tragjedisë 9 janarit 2004.

Nga hetimet e kryera është dokumentuar se punonjësit e policisë Leonel Begaj  me cilësinë e personit që pranon aplikimet për paisje me pasaportë biometrike, në bashkëpunim me punonjësin e policisë Lirim Lamaj në cilësinë e punonjësit të policisë që kryen verifikimin e të dhënave të aplikimit, kanë përgatitur praktikën përkatëse për paisjen me pasaportë biometrike të Viron Robajt me gjeneralitetet e shtetasit F. K., në 27 nëntor 2014.

Viron Robaj u arrestua në janar 2015 në Leçe në Itali me anë të gjurmëve të gishtave. Atij iu gjet pasaporta e falsifikuar dhe menjëherë u informua Interpoli shqiptar.

Ndalimi 2 punonjësve të policisë u krye mbrëmë para mesnate, mbi bazën e një hetimi intensiv proaktiv me metoda dhe mjete speciale të hetimit të kryer nga shërbimet e policisë gjyqësore të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Vlorë.

Skafisti i tragjedisë së 9 janarit, ku humbën jetën 28 persona në det të hapur, Viron Robaj ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen”. Ai është dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë me vendim të formës prerë me 25 vjet burg.

SHKARKO APP