I riu shqiptar sulmon karabinierët gjatë kontrollit, i sekuestrohen kokainë, para dhe fishekzjarrë
Një kontroll rutinë i karabinierëve në zonën e Lazios, pranë Via Pontina Vecchia në Romë, ka përfunduar me arrestimin e dy të rinjve shqiptarë dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme lëndësh narkotike dhe parash.
Sipas burimeve zyrtare, patrulla ndaloi një automjet me dy persona në të, të cilët sapo vunë re forcat e rendit, hodhën nga dritarja një pako me kokainë të paketuar në vakum. Kjo solli dyshime të mëtejshme, duke shtyrë karabinierët të kontrollonin banesën e njërit prej të ndaluarve, një 26-vjeçar i njohur më parë për autoritetet italiane.
Gjatë ndërhyrjes në banesë, i riu reagoi me dhunë, duke tentuar të largohej dhe duke sulmuar fizikisht oficerët, por u neutralizua menjëherë. Brenda në shtëpi u gjetën 15 pako kokainë, me peshë totale rreth 1 kilogram, si dhe 36 mijë euro në para cash, të dyshuara si përfitime nga veprimtari të paligjshme.
Për më tepër, në ambientet e banesës u sekuestruan edhe 10 kilogramë fishekzjarrë, të cilët mbaheshin në mënyrë të paligjshme dhe pa masa sigurie.
Të arrestuarit janë vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrjetin e mundshëm të shpërndarjes së drogës me të cilin ata mund të jenë të lidhur.
KOHA JONË SONDAZH

